Tiranë, nis ndërtimi i Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë

5

Në Tiranë nisi sot puna për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë pranë Parkut të Liqenit të Tiranës.

Qendra e re Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, me sipërfaqe rreth 5500 m2, pranë liqenit artificial të Tiranës, do të jetë një pol kulturor multifunksional, i dedikuar fëmijëve.

Do të jetë një sipërfaqe e shfrytëzueshme për aktivitete social-kulturore, ku përfshihen sipërfaqe skenike, performuese, klasa aktrimi, kërcimi, muzikë, pikturë, skulpturë etj, si dhe ambiente ndihmëse për sallën e teatrit, punishte për skenografinë, kostumografinë, krijimin e kukullave, gardërobë, ambiente teknike, zyra për administratën, cafe/restorant. Qendra do jetë multifunksionale, duke ofruar hapësirat për aktivitete të ndryshme për fëmijët e grup moshave 3-12 vjeç.

Gjithnjë e më tepër lind nevoja për një qendër të re artistike e kulturore për fëmijët, për të zhvilluar aftësitë e tyre, për t’i qasur me librin, për të nxitur ndjenjën komunitare; një qendër që do të ketë hapësira të dedikuara edhe për prindërit, që nga ato që ofrojnë lehtësira praktike (ambiente për ruajtjen e sendeve personale apo kënde të posaçme për ushqimin e të vegjëlve) si salla takimi apo multifunksionale.

Vendndodhja e kësaj qendre pranë Parkut të Liqenit krijon mundësinë e lidhjes me natyrën, duke organizuar aktivitete brenda e jashtë ndërtesës. Ndërlidhja e fëmijëve me natyrën është pjesë e rëndësishme për zhvillimin e tyre, por edhe për kulturën e ruajtjes së mjedisit. Hapësirat e dedikuara për aktivitetet në natyrë mund të shfrytëzohen për aktivitete të përshtatura agrokulturore, arkeologjike apo dhe artistike.

Projekti do të shtrihet në 2 vite, duke filluar zbatimin nga 2023, dhe do të kushtojë rreth 1 miliard lek. Projekti parashikohet të mbulohet i gjithi nga fondet e buxhetit të shtetit.