TIRANE/ Nis puna për rehabilitimin e rrugës “Tom Plezha” në Kashar

50

Banorët e Kasharit, ku mbizotërojnë pallatet e reja të ndërtuara pas viteve 2000, do të kenë një rrugë me infrastrukturë të re, që do t’iu mundësojë lidhjen me Unazën e Madhe.

Një prej këtyre kantierëve të shumëpritur nga qytetarët, sidomos të zonës së Astirit, është rruga “Tom Plezha”, e cila ndodhet mbi zonën e Astirit dhe “Casa Italias”. Ka qenë një kalim me pengesa, një nga ato punët e shëmtuara të ish komunës në vitet e kaluara, ku vetëm është dhënë leje ndërtimi pa infrastrukturë.

Paralelisht me investimin në infrastrukturën rrugore, po punohet me kanalizimet e ujësjellësit, çka sjell një përfitim të dyfishtë për banorët e zonës.

Rruga “Tom Plezha” do të ketë dy korsi në secilën anë dhe një korsi shtesë për parkingun.  Zona e Astirit njihet si një nga hapësirat urbane me rritjen më të madhe demografike në 30 vitet e fundit.

Rruga “Tom Plezha” ndodhet në Njësinë Administrative Kashar dhe Njësinë Administrative Nr.14, në pjesën perëndimore të qytetit të Tiranës. Kjo rrugë do të shërbejë per përmirësimin e jetës së komunitetit që banon në këtë zonë, duke iu mundësuar ndërlidhjen e tyre me rrugën kryesore “Teordor Keko” në Unazën e Madhe.