Tiranë, nis rikualifikimi i bllokut të banimit pranë Ambasadës Amerikane

295

Bashkia e Tiranës vijon investimet në çdo lagje të kryeqytetit. Nis puna për rikualifikimin urban të një tjetër blloku banimi në Njësinë Administrative Nr. 2, një nga 50 projektet e ngjashme që do të zbatohen këtë vit në Tiranë për shtimin e hapësirave çlodhëse në qytet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga administratori i Njësisë Nr. 2, Elez Gjoza, inspektoi fillimin e punimeve në bllokun pranë Ambasadës Amerikane dhe nënvizoi se kjo zonë, edhe pse një nga më të populluarat, prej vitesh nuk kishte njohur asnjë ndërhyrje për përmirësimin e jetës së mbi 5 mijë banorëve që jetojnë aty.

Projekti për rehabilitimin e bllokut të banimit që kufizohet nga Rr. “Stavri Vinjau”, Rr. “Budi” dhe Rr. “Qamil Guranjaku”, është i ndarë në katër faza, të cilat parashikojnë rikonstruksionin e të gjitha rrugëve, duke përfshirë përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, asfaltim, ndriçim dhe vendosja e sinjalistikës së nevojshme. Përmes sistemimit të 150 vendeve të parkimit, pritet që të marrë zgjidhje edhe ky shqetësim i banorëve të kësaj zone tejet të populluar. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe krijimit të shesheve të rekreacionit për të gjitha grupmoshat, si dhe ndërtimit të katër këndeve të lojërave për fëmijë.