Tiranë: Përurohet këndi i tetë i lojërave

748

Edhe viti 2017 do t’i kushtohet ndërtimit të shesheve sportive dhe i këndeve të lojërave për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar punimet për këndin e tetë të lojërave në njësinë 7, ndërsa pesë të tjerë janë në proces pune, duke ofruar më shumë mundësi për argëtimin e të rinjve dhe fëmijëve. Falë investimit të Bashkisë së Tiranës, jetëzimi i këtij sheshi me kënd sportiv (fushë futbolli) dhe lojëra krijon një mundësi më shumë rekreacioni për të gjitha moshat.

Në një sipërfaqe prej 1200 m2, është ndërtuar një fushë futbolli, module të ndryshme lojërash për fëmijë, si dhe janë vendosur shtylla ndriçimi të reja dhe kosha mbeturinash. Përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, një tjetër element i rëndësishëm është ndërtimi i infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur (stola, hije). Për ndërtimin e këtij sheshi gjithëpërfshirës, për të gjitha kategoritë e moshave, janë përdorur materiale të certifikuara sipas standardeve të BE-së, kjo për të rritur sigurinë e fëmijëve që luajnë dhe për të mos veçuar qendrën nga periferia në ofrimin e shërbimeve.

Pas këtij sheshi, shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të inaugurojë pesë kënde të tjera në zonën e Kasharit, Liqenit Artificial, Sulejman Delvina dhe Ali Demi, dhe shpejt do të vijojnë punimet në së paku 3 zona të tjera të Tiranës (në Kombinat – Sheshi Jusuf Dashi; në zonën e Piramidës; Fusha e Aviacionit).