Tjetër pikë kufitare në Shkodër, Shqipëri-Mali i Zi lidhen edhe në Zogaj

153

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot marrëveshjen me Malin e Zi për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar në Zogaj dhe Skje për qarkullimin ndërkombëtar rrugor dhe të pasagjerëve në Liqenin e Shkodrës.

Nga studimi i kryer nga Policia Kufitare Shqiptare, në kufirin me Malin e Zi, për lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve në zonën e Zogaj të Bashkisë Shkodër, është evidentuar se aty mund të hapet një vendkalim i ri për komunikim ndërkufitar tokësor dhe ujor, në vendin e quajtur “Zogaj/Shkodër- Kraj/Mali i Zi”. Pika e kalimit kufitar Zogaj është një pikë e përbashkët e kalimit kufitar në Bashkinë e Shkodrës, në kufirin me Malin e Zi, e cila ndodhet 11 (njëmbëdhjetë) km në veriperëndim të qytetit të Shkodrës, në bregun e liqenit të Shkodrës.

Përparësitë që priten nga zbatimi i kësaj marrëveshjeje lidhen me lehtësimin e lëvizjes së banorëve të zonave afër Bashkisë së Shkodrës dhe zonave të Malësisë së Krajës, komuna e Tivarit – Mali i Zi, në të dyja anët e kufirit, shkurtimin e distancës, kontrollin më të mirë të sektorit të kufirit në zonën e Zogajt dhe veçanërisht kontrollin e bregut të liqenit të Shkodrës, si dhe shfrytëzimin e vlerave turistike të liqenit të Shkodrës dhe traditat e banorëve të Malësisë së Tivarit.