Tradita, turizmi dhe kulinaria shqiptare prezantohen në Uashington DC

0

Fundjavën që sapo kaloi, Ambasada e Shqipërisë në SHBA mirëpriti qytetarë të Uashington DC dhe zonave përreth.

Ky aktivitet, aq sa cilësor dhe masiv ka si qëllim “xhiron e botës” përmes vizitës së Ambasadave dhe prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington, kulturën dhe traditat e larmishme të secilit vend që ato përfaqësojnë. Këtë vit, mbi 60 ambasada hapën dyert për të pritur vizitorët amerikanë.

Që nga viti 2016 kur mori pjesë për herë të parë, mbi 25.000 qytetarë amerikanë kanë vizituar Ambasadën gjatë këtij aktiviteti, të cilët kanë marrë me vete një kujtim dhe një pjesë nga Shqipëria.

Ambasada është fokusuar në promovimin e vendit tonë me një tematikë të caktuar. Këtë vit, PassportDC u fokusua tek promovimi i turizmit, faunës shqiptare dhe trashëgimisë natyrore të disa llojeve të shpendëve, ku nuk mungoi këndi i ushqimit tradicional si dhe mësimi i fjalëve në gjuhën shqipe.

Për të njohur vizitorët me vendet më atraktive turistike u dedikua një hapësirë e posaçme, ku pjesëmarrësit u njohën në detaje me ofertën e larmishme që ofron turizmi shqiptar. Më konkretisht, mbi mundësitë e shumta të aksesimit të turizmit shqiptar, ambasada ftoi përfaqësuesit e agjencisë turistike Globus Travel, që operon me zyrat e saj edhe në Nju Jork, të cilët i njohën pjesëmarrësit me vendet më të spikatura dhe preferenciale të turistëve të huaj, mundësitë e akesimit dhe ofertat reale për të vizituar Shqipërinë këtë vit.

Një vëmendje të veçantë mori edhe fauna shqiptare. Një ekspozitë fotografike shoqëroi aktivitetin për të njohur qbanorët e Uashingtonit me shumëllojshmërinë e shpendëve që ofron Shqipëria.

Jetmir Troshani, i cili bëri të mundur organizimin e ekspozitës, mundësoi prezantimin e karakteristikave të faunës shqiptare, duke ofruar edhe informacionet e sakta mbi vendet se ku mund të vizitohet kjo faunë e bukur.

Aktiviteti u ndërthur me prezantimin me mësimin e “fjalëve magjike” në gjuhën shqipe, fotot e panumërta nga Shqipëria dhe interesin mbi traditat tona të veçanta.

Edhe këtë vit, aktiviteti kulmoi me organizimin e një shorteu “DVLotaryAlbania2023”, i cili ofroi një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë për dy individë. Një numër tepër i lartë i pjesëmarrësve priti me emocion hedhjen e shorteut nga ku dolën dy fitues, Aviv Sheriff dhe Nicole Annunziata.

Ambasada e Shqipërisë në Uashington DC falënderon kompaninë Globus Travel, e cila mundësoi një paketë të plotë turistike falas për 10 ditë, e cila përfshin fluturimin dhe akomodimin falas gjatë qëndrimit në Shqipëri.

Ambasada gjithashtu falënderoi për punën e dedikuar ofruar në këtë aktivitet nga i gjithë stafi i ambasadës, një numër vullnetarësh dhe të gjithë ata që mbështetën realizimin e kësaj veprimtarie.

/ata.gov.al