Transporti publik, shtohen 14 autobusë ‘fizarmonikë’

442

Pavarësisht ndryshimit rrënjësor që ka pësuar transporti publik në kryeqytet, krahasuar me një vit më parë, Bashkia e Tiranës po vijon punën për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve për qytetarët. Në vijim të turit për kontrollin e cilësisë së shërbimit në të gjitha linjat e autobusëve urbanë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj udhëtoi sot me linjën e Unazës, e cila i shërben njërës prej zonave kryesore të kryeqytetit dhe mundëson ndërlidhjen me linjat e tjera ekzistuese ose që janë duke u futur gradualisht në shërbim.

Aktualisht linjës së Unazës i janë shtuar 14 autobusë ‘fizarmonikë’ me qëllim përballimin e fluksit në oraret kur ka më shumë qarkullim. Autobusëve u janë instaluar edhe sistemet GPS, që do të mundësojnë sistemin e monitorimit dhe të kontrollit në kohë reale nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe një sistem raportim/pikëzimi që lidhet me performancën e shërbimit. Veliaj sqaroi edhe skemën se si do të funksionojë sistemi i pikëzimit në transportin publik, ku operatorët në fillim të vitit pajisen me 300 pikë.

 

Nisur nga monitorimi i situatës së shërbimit të transportit publik, Bashkia e Tiranës ka planifikuar ndërhyrje në linjën e Unazës për shtimin e më shumë mjeteve në operim, sidomos përgjatë orëve kryesore të ditës, si dhe njëkohësisht zëvendësimin e një pjese të mjeteve normale me mjete tip fizarmonikë. Linja e Unazës ka 32 mjete në inventar, të cilat janë mjete me të gjitha kushtet e komoditetit, kondicionimin, si dhe kanë platformë të sheshtë, të aksesueshme për invalidët. Për shkak të numrit të lartë të mjeteve private, Bashkia e Tiranës ka bërë edhe një skemë për ruajtjen e prioritetit të lëvizjes me anë të semaforëve, si dhe po planifikon mundësinë e ndërtimit të korsive të rezervuara aty ku ekziston mundësia.