Një autobus i zakonshëm do të shndërrohet në një ekspozitë, ku nxënësit e shkollave të zonave rurale të Tiranës do të njihen me historikun e disa prej objekteve të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Projekti “Muzeu lëvizës” vjen në kuadër të “Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore” dhe të “Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore”, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë e Trashëgimisë Kulturore dhe Turizmit në bashkinë e Tiranës, më datë 28 shtator.
Ekspozita e “Muzeut lëvizës” përmban riprodhime objektesh nga koleksionet muzeore të ruajtura në fondet e Muzeut Historik Kombëtar, të cilat i përkasin periudhave të ndryshme historike. Midis tyre mund të gjejmë vazo nga antikiteti, objekte kulti, vegla muzikore, kostume popullore etj.
Ky aktivitet synon përfshirjen e komuniteteve në zhvillimin e politikave kulturore, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës artistike në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë.