Me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e qeseve plastike, aktivistë dhe studentë të arsimit profesional, me mbështetjen edhe të Bashkisë së Tiranës, prodhuan brenda një dite 5 mijë trasta.
Një prej aktivistëve të nismës, Ened Mato, vlerësoi rëndësinë e heqjes nga përdorimi të qeseve plastike, të cilat janë të dëmshme jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e qytetarëve. “Me ndihmën e shumë aktivistëve, studentëve të arsimit profesional, me mbështetjen e Bashkisë dhe mbi 500 rrobaqepësve, arritëm të realizojmë një ëndërr që e kishim me dëshirën më të madhe për të thyer një rekord, për të qepur 5000 trasta për një ditë. Të sigurt se me një trastë mund të eliminojmë të paktën 500 qese në ditë, besoj se kemi eliminuar 250.000 qese, të cilat do të ishin nëpër lumenj e në det. Me fëmijët sot jemi bashkë si një skuadër e madhe, që po kuptojmë se trasta është zgjidhja më efiçente, më praktike për të zhdukur dhe eliminuar qesen dhe për t’i dhënë një mesazh gjithë qytetit të Tiranës, që e ardhmja dhe natyra e mjedisi do patjetër të përdorim trastën ditë për ditë, duke eliminuar qeset që janë aq të dëmshme për ne, për mjedisin”, tha Mato.