“Travel and Tour World”: Shqipëria, ylli në ngjitje i turizmit evropian

11

Juliette Losardo, drejtoreshë e Ekspozitës së Tregut Botëror të Udhëtimit 2024 (World Travel Market London 2024) theksoi tendencat më të fundit që riformësojnë turizmin dhe mundësitë që ato paraqesin për destinacionet dhe bizneset në mbarë botën, sipas një artikulli të botuar në “Travel and Tour World”.

Rritja e klasës së mesme dhe turizmi demokratik
Zgjerimi i klasës së mesme globale po ndryshon modelet e udhëtimit, duke bërë të mundur që më shumë njerëz të përjetojnë udhëtime më të përballueshme dhe autentike. Kërkesa po zhvendoset drejt përvojave që lidhen me kulturat dhe natyrën lokale, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe ruajtjes kulturore.

Turizmi i aventurës
Turizmi i aventurës është në rritje, duke përfshirë si aktivitete të buta, si ecja dhe çiklizmi, ashtu edhe eksperienca ekstreme, si zhytjet apo hedhja me parashutë. Destinacionet inkurajohen të përshtatin ofertat për të tërhequr turistët modernë që kërkojnë emocione.

Gjenerata Z dhe Millennials: Ambasadorë të qëndrueshmërisë
Këto breza po përqendrohen te përvojat, duke i dhënë përparësi turizmit të qëndrueshëm. Raportet tregojnë se 53% e turistëve planifikojnë të ulin gjurmën e karbonit, duke nxitur kërkesën për opsione miqësore me mjedisin dhe ndërveprime autentike me komunitetet lokale.

Shqipëria, ylli i ri i turizmit evropian
Shqipëria po tërheq vëmendjen si një destinacion i përballueshëm dhe unik. Me një kombinim të bukurive natyrore, eksplorimeve kulturore dhe çmimeve të arsyeshme, ajo po kthehet në një alternativë të qetë ndaj destinacioneve të mbipopulluara të Mesdheut, duke tërhequr turistët që kërkojnë përvoja të ndryshme dhe autentike.

Referenca: ata.gov.al