“Travel off Path”: Shqipëria mes vendeve më të mira në Evropë për nomadët dixhitalë

8

Evropa ka qenë një magnet për nomadët dixhitalë kohët e fundit, veçanërisht për amerikanët që kërkojnë të udhëtojnë në shumë vende ndërsa punojnë në distancë, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në “Travel off Path”.

Një pjesë e vendeve ofrojnë një kosto më të ulët jetese dhe janë të pasura me kulturë, duke i bërë ato destinacione lehtësisht të përballueshme. I vetmi aspekt negativ?

Shumica e vendeve vendosin rregulla të rrepta për viza për qytetarët amerikanë dhe në përgjithësi i lejojnë ata të hyjnë për 90 ditë nga çdo periudhë 180-ditore.

Zona Shengen përfshin deri në 27 (së shpejti, 29) vende evropiane. Në fakt, ju keni shumë pak kohë për të eksploruar Kontinentin e Vjetër, pasi çdo destinacion kryesor që mund të mendoni është nënshkrues i këtij traktati dhe zbaton ‘acquis’-in famëkeq.

Siç rezulton, janë pesë destinacione evropiane ku nomadët amerikanë priten krahëhapur, kontrollet e Shengenit nuk zbatohen dhe më e rëndësishmja, ata nuk kanë nevojë për një vizë nomad dixhitale për të qëndruar më gjatë.

Shqipëria
Destinacioni i parë në listë është Shqipëria, një vend për të cilin mund të keni dëgjuar, bazuar në zhvillimin e saj astronomik dhe një pikë e nxehtë turistike gjatë viteve të fundit.

Vendi mundëson leje hyrjeje 1-vjeçare për amerikanët.

Kjo do të thotë që ju mund të fluturoni për në Shqipëri ose të kaloni një kufi tokësor nga ndonjë nga vendet e shumta fqinje të saj dhe t’ju jepen 365 ditë të tëra për të qëndruar në territorin kombëtar, mbi bazën e të qenit qytetar amerikan.

Ky privilegj nuk u ofrohet as kanadezëve, as evropianëve të tjerë, është vetëm për SHBA-në.

Pse duhet të zgjidhni të transferoheni në Shqipëri, nga të gjitha vendet, mund të pyesni veten.

Ky është një vend që ka të gjitha cilësitë e një destinacioni thelbësor mesdhetar, ka plazhe të pacenuara të përqafuara nga ujërat bruz, kuzhinë të shijshme, mot të shkëlqyer dhe një histori magjepsëse.

Dallimi i vetëm është se ndryshe nga Italia, Greqia, apo ndonjë vend i Evropës Jugore në afërsi, Shqipëria nuk është në Eurozonë dhe çmimet janë shumë më të ulëta se mesatarja.

Kushton vetëm 1,145 dollarë në muaj për të jetuar në Tiranë, kryeqyteti i saj i gjallë dhe bregdeti nuk është shumë i shtrenjtë.

Një fshat i qetë bregdetar përballë Greqisë, me rërë të butë dhe të bardhë, pranë të cilit ndodhet një vend i madh arkeologjik, Ksamili, është destinacioni ‘numër një’ bregdetar në Shqipëri, aktualisht vendpushimi më në trend, i vlerësuar në “Airbnb”, falë tarifave të tij të përballueshme. Akomodimet kanë një kosto duke filluar nga 22 dollarë për natë.

Nomadët kanë vërshuar gjithashtu në Durrës, një port i lashtë i Adriatikut me origjinë greko-romake, në Shkodrën shumëngjyrëshe në veriun malor të Shqipërisë dhe në Gjirokastër, një qytet që daton në shekullin e XII, dhe që mban statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Shqipëria vlerësohet për stilin e jetesës, vendasit miqësorë, motin e ngrohtë gjatë gjithë vitit, (mesatarisht 16 gradë celcius në bregdet në dimër) dhe po aq e rëndësishme, për kulturën e kafeneve, më e dukshme në Tiranë dhe perceptimin e lartë të sigurisë.

/ata.gov.al