“Traveling Lifestyle”: Shqipëria – kjo perlë e fshehur, një nga destinacionet më trendi në Evropë

11

Ekzistojnë shumë destinacione evropiane të panjohura, por Shqipëria ka dëshmuar të jetë një nga vendet më tërheqëse të vitit, shkruan Maria Valencia në të përditshmen amerikane “Traveling Lifestyle”.

Një vend jo shumë i njohur nga udhëtarët, kohët e fundit Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më premtuese në Evropë, falë perlave të saj të fshehura.

Kërkesat për udhëtime në Evropë regjistruan një rritje midis viteve 2022, 2023 dhe 2024, veçanërisht pas pandemisë së Covid-19.

Por, ndërsa vende si Franca, Italia dhe Spanja kanë ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e turistëve, destinacione të tjera më pak të njohura janë të etura për të mirëpritur më shumë vizitorë.

Shqipëria është një vend i vogël në Evropën Juglindore, e cila kufizohet me Greqinë në jug, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën në lindje, dhe Malin e Zi në veri.

Turizmi me rritjen më të shpejtë në Evropë në 2023

Sipas Eurostat, Evropa u vizitua nga 2,6 miliardë turistë në 2023. Krahasuar me vitin 2022 Shqipëria pati një rritje rekord prej 55,6%.

Perspektiva e turizmit të Shqipërisë për vitin 2024 duket shumë pozitive. Sipas Statista.com, të ardhurat nga turizmi pritet të arrijnë 75,49 milionë dollarë me rritje vjetore prej 4,56% në vitin 2024 deri në vitin 2028, duke rezultuar në të ardhura prej 90,23 milionë dollarë deri në vitin 2028.

Pandemia ndihmoi turizmin e Shqipërisë

Fakti që Shqipëria vazhdon të zgjerohet me kaq shpejtësi përballë rikthimit në normalitet të konkurrentëve të saj më të egër, është dëshmi e mëtejshme se ajo ka ruajtur vrullin që fitoi në fillim të pandemisë.

Ndërsa pjesa më e madhe e Evropës ishte e mbyllur për shkak të Covid-19, Shqipëria mbeti e aksesueshme pa kufizime, gjë që ndoshta kontribuoi në popullaritetin e saj të papritur.

Shumë turistë nuk e dinë se Shqipëria është një parajsë verore

Shqipëria, ashtu si Kroacia dhe Mali i Zi, ndodhet në detin Adriatik, por kostoja e jetesës është shumë më e ulët.

Do të gjeni të njëjtat ujëra bruz, plazhe me rërë të bardhë ose me guralecë dhe qytete mesjetare me shtëpi prej guri, por pa hotele të shtrenjta dhe vende tipike turistike.

Zona e bregdetit më jugor të Shqipërisë, e njohur si Riviera Shqiptare, ka mbetur e pacenuar, natyra është ende e virgjër, plazhet janë të qeta dhe qytetet tradicionale me kalldrëm, ku breza të tërë familjesh kanë jetuar për shekuj, nuk janë prekur nga ndikimet e jashtme.

Pesë destinacionet më të njohura verore në Shqipëri; Saranda, Himara, Ksamili, Dhërmiu, Thethi

Parku Kombëtar i Thethit është një perlë e vërtetë e fshehur e Evropës kur bëhet fjalë për shëtitje.

Shpesh të referuara si Alpet Shqiptare, ky varg malor është një stoli vërtet e bukur e vendit. Me maja nga 1200 deri në 2567 metra, Mali i Radohimës është pika më e lartë.

Çmimet në Shqipëri

Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithnjë e më popullor për pushuesit e huaj vitet e fundit, duke ofruar një gamë të gjerë atraksionesh dhe aktivitetesh me çmime të përballueshme në krahasim me destinacionet e tjera evropiane.

Kostoja e pushimeve në Shqipëri varet nga disa faktorë, duke përfshirë kohën e vitit, llojin e akomodimit dhe aktivitetet që planifikoni të bëni.

Akomodimi në Shqipëri varion nga bujtinat dhe vendqëndrimet buxhetore deri tek hotelet dhe resortet luksoze.

Çmimet mund të ndryshojnë në varësi të vendndodhjes dhe sezonit, por në përgjithësi, akomodimi buxhetor mund të gjendet për 10-20 euro për natë, ndërsa opsionet më të shtrenjta mund të variojnë nga 50-200 euro për natë.

Ushqimet dhe pijet në Shqipëri kanë gjithashtu çmime të arsyeshme, me gatime tradicionale shqiptare që kushtojnë rreth 5-10 euro në restorantet lokale.

Opsionet e kuzhinës ndërkombëtare janë të disponueshme në qytetet më të mëdha dhe çmimet mund të ndryshojnë në varësi të zonës.

Kostot e transportit në Shqipëri janë relativisht të ulëta.

Taksitë janë gjerësisht të disponueshme dhe tarifat janë të arsyeshme, me një kosto mesatare prej 5-10 euro për një udhëtim të shkurtër.

Autobusët janë gjithashtu një mënyrë popullore dhe e lirë për të udhëtuar në vend, me bileta që variojnë nga 1-5 euro në varësi të distancës.

/ata.gov.al