Tre mësueset shqiptare më të mirat në Evropë, triumfojnë në Festivalin e Shkencës

459

Mes 450 mësuesve më inovativë në botë në fushën e Informatikës dhe Teknologjisë, shumë pak mund të ishin ata që e dinin se edhe vendi ynë ka zysha që motivojnë nxënësit t’ia dalin në botën e shkencës.

Tre mësuese shqiptare kanë qenë të shpërblyer për të demonstruar risi në fushat e tyre përkatëse, si dhe gjatë seminareve konkurruese që ndodhën gjatë “Science on Stage Europe”

Ky event botëror mbledh së bashku mësuesit novatore  të shkencave nga e gjithë Evropa për të shkëmbyer ide  me kolegë nga më shumë se 30 vende në festivalin më të madh të Shkencës në qytetin Cascais, të Portugalisë.

“Science on Stage Europe” beson se  mënyra më e mirë për të inkurajuar nxënësit në shkollë që të mendojnë një karrierë në shkencë ose inxhinieri është motivimi dhe informimi i mësuesve të tyre.

Qëllimi kryesor  i festivalit të shkencës është përmirësimi i mësimdhënies në mënyrë që të mundësojë që sa më shumë studentë të fitojnë aftësi të përshtatshme për të ardhmen e vështirë dhe t’i inkurajojnë ata të konsiderojnë një karrierë në shkencë, TIK ose inxhinieri.

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në një festival shkence të tillë i mbështetur nga Komisioni Europian.

Ekipi i zyshave shqiptare pjesëmarrëse nga shkollat 9 vjeçare të Shqipërisë u vlerësuan edhe me çmim nga juria ndërkombëtare prej 17 vetësh.

Zyshat “novatore” janë Mirjeta Domi, koordinatore kombetare e Science on Stage Albania, Majlinda Hasanaj, mësuese matematike-Tik në shkollen “Hasan Prishtina” në Tiranë dhe Arbana Hallva, mësuese në shkollën 9 vjeçare “Fadil Gurmani` në Elbasan. Tre mësueset padyshim që motivojnë me arritjet e tyre mes 450 mësuesve në botë jo vetëm nxënësit e tyre por edhe gjithë brezin e ri drejt shkencës.

Mendjehapur për të mësuar gjithçka të re në fushën e Teknologjisë dhe Informatikës, mësueset shqiptare përpiqen të jenë ndikuese edhe tek nxënësit e tyre, duke i udhëzuar në rrugët e pafundme të botës virtuale dhe të shkencës./Marrë nga Balkanweb