Industria e prodhimit të vezëve në vend, gjatë muajit janar të këtij viti, ka shumëfishuar eksportet e vezëve në sasi dhe në vlerë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për periudhën janar 2022 – janar 2023, eksportet e vezëve janë 3-fishuar në sasi, duke arritur në 217 mijë kg. Në vlerë, eksportet u pesëfishuan, për shkak të çmimit më të lartë, duke arritur në gati 53 milionë lekë.
Në 10 vitet e fundit sipas të dhënave të doganave kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve për periudhën e muajit janar. Rritja e eksporteve ka nisur që muajin dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021 eksportet janë 24 herë më të larta.
Eksportet e vezëve “Made in Albania” shkojnë kryesisht në Kroaci, Greqi dhe Serbi.
Industria e prodhimit të vezëve në Shqipëri po njeh rritje progresive nga viti në vit.
Në vendin tonë prodhohen më shumë se 900 milionë kokrra vezë në vit. Zgjerimi i komplekseve të pularisë jo vetëm që ka rritur standardet e kësaj industrie në vendin tonë, por ka shtuar prodhimin e vezëve, një pjesë e të cilave plotësojnë kërkesat e tregut të brendshëm, por e edhe eksportojnë në vendet e rajonit dhe më gjerë.