Tregtia bashkon Shqipëri-Kosovë, eksportet gjatë janar-marsit arritën mbi 6.5 miliardë lekë

64

Shqipëria dhe Kosova kanë zgjeruar marrëdhëniet e tyre tregtare në vitet e fundit.

Sipas raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), eksportet drejt Kosovës gjatë periudhës janar-mars arritën mbi 6.5 miliardë lekë, ndërsa importet 2 miliardë lekë.

Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike. Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë, ndër të cilat eksportin kryesor e zënë domatet, agrumet, pjepri dhe kastravecat.

Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar më tepër drejt Kosovës materiale ndërtimi dhe metale. Vlera e eksporteve të këtij grupi llogaritet mbi 2.5 miliardë lekë.

Po ashtu, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës, ushqime dhe pije në vlerën e 781 milionë lekëve dhe minerale, lëndë djegës dhe energji elektrike në vlerën e 1.6 miliardë lekëve.

Referuar statistikave, në 10 vitet e fundit eksportet shqiptare drejt Kosovës janë katërfishuar.

Gjatë vitit 2020 dinamika pozitive e shkëmbimeve tregtare ka bërë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të arrijë vlerat më të larta të shkëmbimeve në gati 34.6 miliardë lekëve.

Por shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve janë shumë më të gjera se vetëm flukset tregtare. Ato shtrihen në shkëmbime ekonomike në industrinë e turizmit, shërbimeve financiare, shkëmbime në fushën e arsimit dhe teknologjisë, transportit apo telekomunikacionit.

Potenciali është akoma më i madh dhe i qëndrueshëm për specializim të bashkëpunimit ekonomik dhe rritje të konkurrueshmërisë, me anë të konsolidimit të zinxhirit të vlerës nëpërmjet shkëmbimeve ndër-sektoriale, në fusha si agropërpunim, industri kimike dhe kozmetike, prodhim artikuj paketimi prej plastike dhe letre, përpunim i metaleve, etj.

Nga sektorët e pashfrytëzuar deri tani, potencial për shkëmbime tregtare shfaqin sektorë si tekstile, prodhime lëkure, makineri, prodhimet e detit, produkte druri të përpunuar, etj.