Tregu i sigurimeve, AMF: Primet rritje me 8.8 % në 2023-shin

14

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2023 kapën vlerën 22.8 miliardë lekë, ose 8.86% më shumë se në vitin 2022.

Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë vitit 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,466,080 me një rritje prej 10.63% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.82% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, sigurimet e Jetës kanë 8.12% dhe risigurimi 0.06 %.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.94% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.06% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2023, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 6,959 milionë lekë, ose 1.89% më shumë se në vitin 2022.

Dëmet e paguara bruto në sigurimin e motorik për vitin 2023 kapën vlerën 4,793 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 7.81% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/ata.gov.al