“Tulipa Albanica”/ Tulipani i kuq më i rrallë në botë gjendet në Shqipëri

78

Shqipëria ka thesare të çmuara që natyra i ka dhuruar për të mbetur e veçantë dhe të krenohet me pasuri të mrekullueshme që nuk gjenden askund në botë.

I tillë rasti i “Tulipa Albanica”, i cili sipas  të dhënave prej qindra  e qindra vitesh rritet vetëm në Shqipëri, e së fundmi është zbuluar edhe në sytë e botës duke marrë trofenë që meriton për autenticitetin e tij.

Gjendet në rajonin e Kukësit dhe është në gjendje të egër. Ka ngjyrë të kuqe të fortë karakterizuar nga nuancat e verdha në pjesën fundore të tij.

Tulipa Albanica, është një ndër llojet e rralla që i futet shkencës botërore të llojeve bimore.

Për shkak të autenticitetit të saj kjo bimë e rrallë ka fituar statusin e mbrojtjes ndërkombëtare.

Sipas raportimeve në media, revista shkencore “Phytotaxa” në artikullin “Tulipa albanica (Liliaceae), a new species from northeastern Albania”(Tulipani shqiptar (Liliaceae), një specie e re nga Shqipëria Verilindore), ka publikuar zbulimin e këtij lloji të ri tulipani në Kukës.

Veçantia e Tulipa Albanica  

Zbuluesit e tij janë Prof As. Dr. Lulëzim Shuka, pedagog i Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës me Prof. Kit Tan, pedagoge në Institutin e Biologjisë në Universitetin e Kopenhagenit.

Analizat gjenetike të këtij tulipani janë kryer nga Prof. Sonja Siljak-Yakovlev e departamentit të Ekologjisë në Universitetin e Parisit.

“Rritet vetëm në Shqipëri. Në asnjë vend tjetër. Ka bërë bujë në të gjithë botën. Një bimë e re duhet të kalojë disa filtra që të regjistrohet në data-bazen ndërkombëtar të regjistrimit të bimëve. Ky hyri që javën e parë.

Kishte shumë gjera që e veçonin dhe nuk linin vend për dyshim nëse ishte apo jo një gjë false” është shprehur profesor Shuka për mediat lidhur me zbulimin e tulipanit të rrallë shqiptar.

Tulipani Shqiptar në Kopshtin Botanik të Danimarkës

Në botë, deri tani njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani i Kukësit renditet i 114-ti. Tulipani shqiptar emërtohet i tillë sepse rritet vetëm në afërsi të fshatit Surroj të Kukësit dhe përbën një lloj të ri endemik për Shqipërinë.

Tulipa Albanica mund të mbillet apo kultivohet bazuar në klimën që i përshtatet.

Që nga koha e zbulimit dhe deri sot është mbjellë dhe vijon të jetojë jo vetëm në zonën e Kukësit por edhe në Kopshtin Botanik të Kopenhagenit në Danimarkë, aty ku ndodhen të gjitha bimët e rralla në botë.