TUMO Tirana/ Hapet qendra më e madhe e edukimit digjital për fëmijët

113
Nga sot, Tirana nis një erë të re në epokën digjitale pas Parisit, Berlinit dhe Yerevanit.
Në mjediset e stadiumit “Arena Kombëtare”, u hap TUMO Tirana, qendra më e madhe e teknologjisë që synon të aftësojë të rinjtë me njohuritë e shek. të 21 duke ofruar kurrikula në fushën e inovacionit dhe artit.
TUMO Tirana është një qendër pas shkolle për fëmijë të grupmoshës 12-18 vjeç të cilët do të kenë mundësinë të zbulojnë pasionin e tyre në 8 disiplina të ndryshme si Animation, Graphic Design, Game Development, Film Making, Music, Programming, Robotics, 3D Modelling. Ndërsa përgatitet projekti i transformimit më të rëndësishëm në kryeqytet, Piramida e Tiranës, e cila do të jetë dhe shtëpia e përhershme e TUMO Tirana, përkohësisht TUMO Tirana do të operojë në Qendrën Arena.
Në TUMO Tirana, fëmijët do të zhvillojnë planin e tyre mësimor të personalizuar nëpërmjet një platforme virtuale të quajtur TUMO Path, e cila është krijuar për t’ju përshtatur kurrikulës së shumëllojshme. Kurrikula mundëson krijimin e planeve të personalizuara të të mësuarit në mënyrë të pavarur, nën supervizim të ekspertëve dhe mentorëve.

Plani mësimor ofron zhvillimin e workshop-eve dhe laboratorëve ku nxënësit thellojnë dijet dhe aftësitë e tyre në një temë zgjedhur prej tyre, punojnë në grup dhe krijojnë portofolot e tyre në formën e projekteve në modelim 3D, programim kompiuterik, robotikë, muzikë, etj. Njohuritë që fëmijët fitojnë nëpërmjet kurseve dhe kurrikulave i ndihmojnë në zhvillimin e krijimtarisë dhe të menduarit analitik.

Gjatë workshop çdo nxënës ka një tutor roli i të cilit është të ndjekë pjesëmarrjen e fëmijës, ta inkurajojë në rritje të performancës dhe ta orientojë gjatë proçesit të eksplorimit të informacionit dhe krijimtarisë së fëmijës. TUMO do të fillojë dhe rekrutimin e 1 mijë fëmijëve të parë të moshës 12-18 vjeç.