Turistët apasionohen pas bimëve endemike të Llogorasë dhe Karaburunit

3

Shtigjet mjedisore në Parkun Kombëtar Llogora dhe Rezervatin e Menaxhuar Karaburun vijojnë të tërheqin vëmendjen e turistëve vendas, por edhe të huaj.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë bën të ditur se fundjavën që lamë pas së bashku me një grup turistësh zhvilluan një ecje ndryshe nëpër shtigje, me qëllim evidentimin e bimëve endemike në PK Llogara dhe RNM Karaburun, zona të cilat njihen për praninë e më shumë se 11 specieve endemike.

“Ndër speciet endemike dhe subendemike me rëndësi të këtij sezoni të cilat mund t’i vëreni lehtësisht përgjatë vizitës suaj në këto zona të mbrojtura janë: Viola acroceraunensis, e njohur si Manushaqja e Kerauneve, salepi Orchis mascula, Reichardia sp. etj”, tha ADZM Vlorë.

ADZM Vlorë shprehet se “zonat e mbrojtura janë streha e një diversiteti të madh biologjik duke nisur nga mikrogjallesat e deri të speciet e larta bimore dhe shtazore”.

Parku i Llogorasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh. Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2018 metra mbi nivelin e detit.

/ata.gov.al