Turistët e huaj dhe shqiptarët i rikthehen Muzeut Historik Kombëtar

91

Muzeu Historik Kombëtar i cili synon të nxisë mirëkuptimin dhe vlerësimin e historisë së Shqipërisë tek publiku vendor, kombëtar dhe ndërkombëtar dhe të inkurajojë dialogun midis qytetarëve, mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen shqiptare, tashmë është shndërruar në destinacionin kulturor më të frekuentuar nga turistët vendas dhe të huaj.

Muzeu Historik Kombëtar për periudhën janar – nëntor 2018 krahasuar me janar – nëntor 2017 ka një rritje prej 11.025 % më shumë vizitorë në total.

Gjithashtu shifrat tregojnë se për periudhën janar – nëntor 2018 krahasuar me janar – nëntor 2017 ka një interes prej 37.442 % më shumë vizitorë të huaj, pra që tregon që muzeu mbetet atraskioni kulturor dhe historik i preferuar nga turistët.

Një risi në Muzeun Historik janë vizitorët vendas të cilët kanë kaluar pritshmëritë duke arritur në një rritje për periudhën janar – nëntor 2018 krahasuar me 2017 rreth 48.292 % më shumë vizitorë.

Turizmi gjithashtu shihet dhe si shtyllë ekonomike mjaft e rëndësishme dhe për këtë totali i të ardhurave për vitin 2018 krahasuar me 2017 është rritur me 36.106 % më shumë të ardhura në total në Muzeun Historik Kombëtar.

Muzeu Historik Kombëtar u përurua më 28 tetor 1981 dhe është institucioni muzeal më i madh në Shqipëri. Në mjediset e muzeut gjenden rreth 4750 objekte, të cilat i përkasin një periudhe të gjatë kohore duke filluar nga mijëvjeçari IV para Krishtit dhe deri në gjysmën e dytë të shekullit XX. Muzeu ekspozon pasuritë e tij nëpërmjet tetë pavijoneve. Pavijoni i Lashtësisë është nga më të pasurit në Muzeun Historik Kombëtar, me afro 400 objekte të ndryshme.

Objektet e paraqitura nisin me paleolitin e vonë, ku kultura prehistorike dëshmohet e gjallë dhe e fuqishme në trojet tona. Në stendat e muzeut gjenden objekte që i përkasin epokës së Broncit (2100-1200 para Krishtit) si dhe objekte të epokës së Hekurit (1200-450 para Krishtit), periudha këto që përvijojnë tiparet e ilirëve.