Turistët e huaj të befasuar prej mikpritjes e plazheve “sekrete” të Vlorës

3

Vlora po pret këtë verë turistë nga e gjithë Europa të cilët zgjedhin të zbulojnë bukuritë e fshehura të bregdetit jonian edhe përmes udhëtimeve me anije.

“Është hera e parë që vijmë në Vlorë. Erdhëm një natë më parë dhe është me të vërtetë një qytet i bukur, me plazhe të bukura dhe njerëz shumë të dashur. Gjatë mbrëmjes gjallërohet dhe na pëlqen shumë”, u shprehën dy turiste të huaja.

“Këtu në Vlorë është shumë bukur. Bëmë një udhëtim me anije turistike dhe pamë plazhe shumë të bukura edhe pse sot është shumë vapë. Po, temperaturat janë shumë të larta sot dhe ia vlente të ishe këtu në anije. Njerëzit dhe stafi ishin shumë të këndshëm. Njerëzit gjatë gjithë kohës ishin duke kërcyer në anije, të gjithë po argëtoheshin, pra ishte vendi i duhur për t’u vizituar”, thanë një çift turistësh të huaj.

Simon nga Austria tha se ndodhej në Vlorë prej dy ditësh dhe u kënaq shumë gjatë udhëtimit me varkë.

“Kemi ardhur këtu prej dy ditësh. Është shumë vapë tani, por shumë bukur dhe u kënaqëm shumë gjatë udhëtimit me varkë. Ishte shumë argëtues, ishim të sigurt. Pata një udhëtim të këndshëm dhe ishte një ditë e mrekullueshme”, tha ai.

Një turist italian vlerësoi veçanërisht mikpritjen e shqiptarëve.

“Kemi ardhur para dy ditësh në Shqipëri. Morëm avionin nga Bergamo dhe një makinë me qira në Tiranë. Gati po bëhen tre ditë këtu dhe jemi në këtë plazh të bukur. Mikpritja e shqiptarëve ka qenë e shkëlqyer. Po ndihemi shumë mirë. Udhëtimin tonë do ta vazhdojmë duke zbritur drejt jugut dhe duke shkuar në Ksamil, më pas në Berat dhe pastaj do të kthehemi në Tiranë, ku do të qëndrojmë për 4-5 ditë të tjera”, u shpreh ai.

“Në Vlorë është shumë bukur, plazhet janë të bukura, por ju rekomandoj të vizitoni edhe Sarandën e Ksamilin, pasi plazhet atje janë një parajsë. Këtu jemi në anije turistike që niset nga Vlora dhe na kanë treguar disa shpella, hëngrëm në anije. Shqipëria është shumë e sugjeruar”, tha një tjetër turist.

/ata.gov.al