Turistët eksplorim me kajak në lagunën e Karavastasë

22

Laguna e Karavastasë i mirëpriti ndryshe fundjavën që lamë pas turistët e saj të pasionuar pas sporteve ujore.

Përmes eksplorimit të lagunës me kajak turistët nën mbikëqyrjen e punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura Fier mundën të realizojnë sporte të lehta ujore në zonat e përcaktuara, pa shqetësuar faunën dhe florën.

Kajaku të ofron një mundësi të shkëlqyer për të parë nga afër bukurinë e mahnitshme të lagunës së Karavastasë, e cila është një oaz natyror i paprekur me një biodiversitet mahnitës.

Karavastaja është laguna më e madhe në Shqipëri. Ajo ndodhet në bregun lindor të detit Adriatik, ka një sipërfaqe prej 4300 hektarësh brenda dhe ndodhet brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Gjithashtu turistët treguan interes të lartë edhe për vëzhgimin e shpendëve në park, i cili është i mbrojtur më së miri nga moratoriumi i gjuetisë. Laguna është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ata një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin, shumimin dhe ngritjen e foleve.

Ndërkohë në parkun “Divjakë-Karavasta” ndodhet edhe kulla panoramike, varka për të shëtitur në vijën ujore përgjatë gjithë parkut, pylli i gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh.

/ata.gov.al