Turistët nuk vijnë vetëm për plazh, ja sa vizitorë ‘thithi’ Kruja këtë muaj

223

Në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës vizitorët janë në rritje pasi sezoni turistik vazhdon dhe në muajin shtator.

Vetëm në 20 ditët e para të muajit shtator,ky muze ka mirëpritur 10.000 vizitorë, ku 60% e të cilëve turistë të huaj. Vizitorët e huaj po shtohen çdo vit e më shumë pasi materialet informuese në dy gjuhë shqip dhe anglisht janë vënë në dispozicionin e tyre ku mund të shohin pikat kyçe që duhen vizituar dhe shpjegimin e tyre.

Gjithashtu në Muzeun Historik dhe Etnografik të Krujës gjejmë gjithashtu edhe shërbim cilësor me vendosjen e biletarisë elektronike.

Muzeu Etnografik i Krujës ndodhet brenda kalasë së Krujës. Ky muzeum është ngritur në shtëpinë e familjes së Toptanëve, e cila është një ndërtesë e tipit “çardak” e vitit 1764. Banesa është monument kulture i kategorisë së I. Në mjediset e brendshme, si edhe objektet e paraqitura në mjediset e jashtme, jepet një pamje e plotë i zejeve të ushtruara në Krujë dhe në të gjithë Shqipërinë, si edhe i mënyrës së jetesës duke filluar që 300 vjet përpara.

Plot 90 për qind e objekteve të këtij muzeu janë origjinale dhe 100% janë funksionale. Në të gjejmë objekte prej qeramike, druri, guri, hekuri, pambuku, mëndafshi, leshi, qendisma të ndryshme të ekspozuara me finesë. Mosha e këtyre objekteve varion nga 60-70 deri në 500-vjeçare. Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës u përurua më 20 nëntor 1989.