Turizëm gjithëvjetor në Gjirokastër, promovim të vlerave si pasuri e UNESCO-s

15

Kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës gjallërojnë në të gjitha stinët nga turistët vendas e të huaj.

Në Gjirokastër nuk flitet për sezon turistik, por për turizmin gjithëvjetor. Nga janari deri në dhjetor Gjirokastra dhe rrethinat mirëpresin turistët vendas dhe të huaj, ndërsa përgjatë vitit të kaluar u regjistruan 50% më shumë turistë se në 2022.

Synohet që 2024 të jetë një vit me trend në rritje për sa i përket turizmit dhe vizitueshmërisë nga turistët vendas dhe të huaj. Bashkia synon rritjen e investimeve në shërbim të këtij sektori, por edhe rritjen e promovimit të vlerave të Gjirokastrës si pasuri e UNESCO-s, traditave të pasura, organizimin e sa më shumë aktiviteteve kulturore-artistike, etj.

Në kalendarin e këtij viti, është programuar zhvillimi i panaireve, koncerteve, ekspozitave, shfaqjen e filmave, etj me synim që pjesëmarrës të jenë edhe turistët duke u kthyer në pika që pasurojnë guidën turistike dhe rritin kohëqëndrimin e vizitorëve në qytet dhe fshatra.

Krahas punës për një infrastrukturë funksionale në shërbim të turizmit, mjedisin e pastër, ndriçimin publik me standarde bashkëkohore mbi të gjitha synohet organizimi i aktiviteteve të shumta për turistët dhe në shërbim të rritjes së vizitueshmërisë.

2023 ishte viti më i suksesshëm sa i përket turizmit jo vetëm për nga numri i vizitorëve me 300 mijë të tillë, por edhe impaktin që krijon duke përfshirë rritjen e ekonomisë lokale.

Turistët vizituan vlerat natyrore, objektet historike, trashëgimisë kulturore dhe monumentet e kulturës në Qarkun e Gjirokastrës.

Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj. Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj.

Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.

E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

/ata.gov.al