Turizmi, eksportet dhe investimet e huaja forcuan lekun

2

Gjatë vitit 2022, por edhe përgjatë gjysmë së parë të këtij viti monedha vendase leku vijoi forcimin kundrejt euros dhe dollarit amerikan, që janë edhe dy monedhat e vendeve partnere kryesore tregtare. Më i fortë ishte forcimi i lekut ndaj euros.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot gjatë konferencës për shtyp mbi treguesit e ekonomisë se forcimi i lekut ndaj euros, vjen si pasojë e rritjes së turizmit, eksporteve por edhe investimeve të huaja.

“Forcimi i lekut ndaj euros vjen si pasojë e strukturës së ekonomisë dhe perfomancës së ekonomisë, sidomos në lidhje me sektorin e jashtëm, me eksportet, forcimin e eksporteve, të shërbimeve të lidhura me turizmin, por edhe me rritjen e investimeve të huaja direkte, që kanë sjellë kapitale në valutë, të cilat kanë ndikuar në kursin e këmbimit”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo shtoi edhe se kjo dukuri vjen si pasojë dhe e regjimit të kursit të këmbimit që është ndjekur, i cili në të gjithë periudhën e 3-vjeçarit të fundit, ku ne kemi pasur goditje të njëpasnjëshme të ekonomisë, ka ndikuar pozitivisht në absorbimin e të gjitha goditjeve që ekonomia shqiptare apo ajo globale ka pësuar.

“Një prej elementëve që e ka mbajtur inflacionin me norma të kontrolluara, përveç politikave të ndjekura nga qeveria ka qenë edhe kursi fleksibël i këmbimit, i cili ka lejuar që inflacioni i importuar që përbën edhe peshën më të lartë të inflacionit vendas të ketë një ndikim më të ulët nga ai që do të kishte po të kishim një kurs këmbimi të fiksuar”, tha ajo.

Euro këmbehet sot në tregun valutor me 104.85 lekë.

/ata.gov.al