Universitetet/ Ndryshon mesatarja e pranimit në disa programe bachelor, lexoni vendimin e ri

48

Këshilli i Ministrave miratoi sot një ndryshim, i cili përcakton notën mesatare për maturantët që duan të vazhdojnë studimet e larta në universitete.

Mësues do të vazhdojnë të jenë maturantët që kanë mesatare minimumi 7.5. Ndërkohë që në këto programe do te hapen edhe për të tjerët që duan të marrin profesione të tjera, por të studiojnë për gjuhë të huaj, për bio-kimi, matematikë, fizikë etj.

E thene ndryshe, për ata që synojnë të bëhen mësues mesatarja e pranimit në këto degë do të vijojë të jetë 7.5, por për studentët e tjerë që synojnë të vijojnë studime për një tjetër profesion si përkthyes, psikolog, punonjës social, ciceron, historian, gjeograf, etj., kjo mesatare pranimi mund të jetë minimalisht 6,5.

Ata që do të aplikojnë në këto programe studime do të pajisen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore me numër të veçantë matrikullimi, i cili nuk lejon ndjekjen më pas të programeve të ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.

Me këtë vendim mbahet e njëjtë dhe e panegociueshme mesatarja për pranimin në degët e mësuesisë për ata që synojnë të bëhen mësues. Krahas ruajtjes së nivelit të cilësisë në profesionin e mësuesit, synohet edhe plotësimi i nevojave reale të tregut të punës, si dhe mospenalizimi i nxënësve apo studentëve të cilët synojnë profesione të tjera.

Ky vendim pritet që të rrisë numrin e studentëve në programet e studimit të gjuhëve të huaja dhe në disa programe të tjera studimi që mundësojnë profesione të ndryshme përveç mësuesisë.

Ky vendim siguron trajtim të barabartë për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe megjithëse nuk zgjedhin të bëhen mësues, duan të ndjekin programe të tjera studimi.

Qendra e Shërbimeve Arsimore do të ofrojë kode të veçanta matrikullimi për studentët që nuk vijojnë studimet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë.