Universiteti i Mjekësisë rrit pagat e pedagogëve, zbardhet vendimi

24

Universiteti i Mjekësisë ka marrë sot vendimin për rritjen e pagave të personelit akademik në kufirin maksimal të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 5 tetor 2002, ku parashikohet rritje e pagës me 7% nga buxheti i shtetit dhe 8% nga universitetet.

Sipas medieve që kanë publikuar vendimin e bordit të administrimit të këtij universiteti, efektet financiare për çdo nivel page mbi kufirin minimal deri në kufirin maksimal do të mbulohen nga të ardhurat e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Në vendimin e Bordit të Administrimit të Universitetit të Mjekësisë është miratuar gjithashtu edhe një shtesë në buxhetin e vitit 2022, në vlerën 400 000 (katërqind mijë) lekë, për paga dhe 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, me burim financimi nga të ardhurat e veta, për Fakultetin e Mjekësisë Dentare.

Për zbatimin e këtij vendimi që ka hyrë në fuqi menjëherë ngarkohet Administratori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë dhe Drejtoria e Shërbimeve Juridike dhe Burimeve Njerëzore në UMT 4.

Prej disa ditësh një pjesë e pedagogëve janë ngritur në protestë, ku ndër të tjera kërkojnë rritje të pagave.