Universiteti i Tiranës, ja kriteret e pranimit për maturantët

106

Si asnjë vit tjetër, Universiteti i Tiranës ka përcaktuar kriteret e pranimit për gjashtë fakultetet e tij në kohë rekord.

Që tani, maturantët kanë në dorë kushtet që ka vendosur universiteti më i madh për pranimin e mbi 5 mijë maturantëve për vitin e ardhshëm akademik 2019-2020. Maturantët e këtij viti do të konkurrojnë midis tyre me të njëjtët tregues: rezultatet e tre viteve gjimnaz dhe ato të katër provimeve të qershorit.

Diferencën për programet preferenciale do ta bëjnë lëndët formuese, të ndryshme për çdo departament. Tabela përbri përmbledh kriteret zyrtare për të gjitha fakultetet. Këshilla, që çdo vit iu drejtohet maturantëve përpara aplikimit për shkollë të lartë, është konsultimi me kriteret dhe kuotat në programet e dëshiruara.

FAKULTETI I DREJTËSISË

Pranimet në Juridik do të varen nga nota mesatare e gjimnazit, e cila ka 40% të peshës totale të pikëve, rezultateve në katër provimet me zgjedhje e detyrim, që vlerësohen me 20%, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e pikëve, 40%-shi tjetër do të vijë nga lëndët formuese, të tilla si Gjuhë Shqipe, Gjuhë e Huaj (të cilat vlerësohen me nga 10% secila) si dhe Letërsi, Qytetari, Histori dhe Ekonomi.

SHKENCAT SOCIALE

Ashtu si Drejtësia, edhe Fakulteti i Shkencave Sociale vlerëson punën e tre viteve në gjimnaz me 40% në formulën e përllogaritjes së pikëve totale për pranimin e studentëve të rinj. Ndërsa pjesën tjetër e ndan midis rezultateve të provimeve të Maturës si dhe ato në disa lëndë të zhvilluara në gjimnaz: Qytetari dhe Filozofi, Psikologji dhe Sociologji.

FAKULTETI I EKONOMISË

Rezultatet në katër lëndë specifike përgjatë gjithë viteve dhe në provime të Maturës si dhe ai i tre viteve gjimnaz do të përcaktojnë fituesit edhe këtë vit në Fakultetin e Ekonomisë. Të dy treguesit vlerësohen përkatësisht me 50% secili. Matematika, Ekonomia, Fizika dhe Gjuha e Huaj janë lëndët specifike që u jepen më shumë rëndësi dhe maturantët që aspirojnë një degë ekonomiku kanë ende kohë për të mësuar me qëllim që të bëhen pjesë e saj.

HISTORI-FILOLOGJIA

Ky fakultet e ka ruajtur të pandryshuar formulën, me të cilën do të pranojë studentët e vitit të ardhshëm. Tre vitet e shkollës së mesme kanë gjithë peshën kryesore, 80%, ndërsa mesatarja e thjeshtë e katër provimeve të Maturës Shtetërore do të vlerësohet me 20%. Kujtojmë që për të dytin vit, me vendim qeverie, ata që aplikojnë për degët e këtij fakulteti duhet të kenë mesatare shkollimi mbi 7.

GJUHËT E HUAJA

Rezultati kumulativ i mesatares së gjimnazit, përfshirë dhe notat e Maturës Shtetërore do të përcaktojnë shumë thjesht fituesit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, kriter ky i njëjtë me vitin e shkuar. Por, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Gjuhën Angleze, që është në toplistën e preferencave të maturantëve. Për të studiuar Anglisht do të zhvillohet një konkurs pranimi, rezultati i të cilit ka 40% të pikëve, ndërsa shumicën e peshës e ka nota mesatare aritmetike e gjimnazit (përfshirë dhe notat e Maturës). Zotërimi i gjuhës në nivel B2 është kushti i parë për aplikimin për këtë degë. SHKENCAT E NATYRËS Departamente të ndryshme në këtë fakultet kanë përcaktuar varietet kriteresh pranimi. Diku 70% e diku 50%, pjesën më të madhe të vlerësimit studentët e rinj do ta marrin pa diskutim nga puna e bërë në tri vitet e gjimnazit. Ndërsa pjesa tjetër i takon lëndëve të caktuara. Matematika, Fizika, Kimia, Biologjia e TIK janë lëndët preferenciale për programe të ndryshme.