Ura e Bunës do jetësojë gjithë zonën, projekti 20 milionë euro

6

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç deklaroi sot se projekti për ndërtimin e Urës së Bunës është përllogaritur të kushtojë rreth 20 milionë euro dhe kostoja do të ndahet mes dy qeverive.

Në deklaratën për mediet pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive që u mbajt në Podgoricë, Abazoviç theksoi se projekti për ndërtimin e Urës së Bunës është gati, ndërsa dy qeveritë do të dalin me një tender të përbashkët ndërkombëtar për gjetjen e kompanisë që do të ndërtojë urën prej rreth 300 metër.

“Distanca mes Ulqinit dhe Velipojës është sot 73 km, ndërsa me ndërtimin e urës do të jetë 200 m. Kemi trafik të jashtëzakonshëm gjatë verës dhe besojmë se me ndërtimin e urës shumica e drejtuesve të mjeteve do të zgjedhin këtë aks të ri”, tha Abazoviç.

Kryeministri i Malit të Zi theksoi se nga ndërtimi i urës përfitojnë buxhetet e dy vendeve.

“Nuk di të ketë projekt më efektiv dhe më të lirë për nga vlera. Pala shqiptare e ka bërë projektin. Shumë shpejt do të hapim tenderin për të zgjedhur ofertuesin më të mirë“, deklaroi ai.

Sipas Abazoviçit, edhe marrëveshja për hapjen e pikës së re kufitare Pulaj-Shënkoll është në funksion të kësaj zone. Ai shprehu besimin se me ndërtimin e kësaj ure do të jetësohet e tërë zona.

“Një Antalia e re në këtë zonë mund të ngrihet, pasi plazhi dhe klima janë më të mira”, deklaroi Abazoviç.

/ata.gov.al