Urdhri i lartë Oficer i Legjionit të Nderit për shkrimtarin dhe akademikun shqiptar

298

Presidenti i Republikës Franceze François Holland ka dekoruar akademikun dhe shkrimtarin shqiptar Luan Starova me urdhërin e lartë Oficer i Legjionit të Nderit (Officier de la Légion d’honneur).

Shkrimtari dhe akademiku Luan Starova, që nga viti 2000, është bartës dhe i një dekorate tjetër franceze, e mirënjohur me emrin Komandor i Arteve dhe Letërsisë (Commandeur des Arts et des Lettres).

Dekorata e lartë franceze autorit të Sagës ballkanike, një korpus romanor prej dhjetëra vëllimesh, i është akorduar ndër të tjera edhe për kontributin e tij të rëndësishëm gjatë periudhës kur ishte ambasadori i parë i Republikës së Maqedonisë në Francë, me ç’rast u angazhua për njohjen dhe interpretimin e qartë të problemeve të rajonit gjatë viteve kritike të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Ai e tërhoqi vëmendjen e veçantë të kulturës dhe të publikut letrar francez veçmas pas botimit frëngjisht të Sagës shqiptare e ballkanike prej shtëpisë prestigjioze botuese Fayard, të cilën kritika franceze e ka radhitur midis romaneve të mëdha europiane.
Vepra e tij letrare tashmë është botuar në më shumë se njëzet gjuhë të botës.
Luan Starova ka merita të veçanta edhe për veprimtarinë universitare, si profesor i letërsisë frënge dhe krahasimtare, veprimtari që zë një vend të rëndësishëm në karrierën e tij të shumanshme.

Puna e tij shkencore është shumë e rëndësishme veçmas për shpërfaqjen e aspekteve të reja të raporteve ndërmjet shkrimtarit frëng Gijom Apoliner (Guillaume Apollinaire) dhe poligrafit shqiptar Faik Konica.
Janë për t’u përmendur edhe lidhjet dhe raportet e tij me shkrimtarët dhe mendimtarët e mëdhenj francezë dhe europianë të kohës, si: Edgar Moren, Moris Dryon, Rober Male, Anri Meshonik, Andre Freno etj.

Luan Starova është anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (edhe nënkryetar i saj), si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Urdhri i Oficerit të Legjionit të Nderit akademik Luan Starovës do t’i dorëzohet prej ambasadorit francez në Shkup Kristian Timonie (Christian Timonier).
Për nderimin e këtij solemniteti, në rezidencën e ambasadës franceze në Shkup, më 11 prill 2017 do të organizohet një ceremoni zyrtare festive.