Usta Adushi, këpucari 72 vjeçar që gjen kënaqësi në profesionin e tij

152

Në Berat të gjithë e njohin si usta Adushi. Adush Civeja nuk është penduar kurrë që e zgjodhi profesionin e këpucarit. Punon ende pa u lodhur.

Nga të 4 fëmijët e tij, vetëm njëri zgjodhi zanatin e të atit, edhe pse usta Adushi do të dëshirontë t’ua linte të gjithëve trashëgim sekretet e punës së tij.

Prej 57 vjetësh, mjeshtri beratas i këpucëve nuk e ndryshon rutinën e mëngjeseve. Hap derën e dyqanit, pi kafen e mëngjesit dhe pret klientët. Ai është i kënaqur sa herë bën këpucë të rehatshme.

Më shumë se paratë, lumturinë e gjen te klienti i kenaqur: “Ku ka më mirë sesa të kënaqësh klientin”.

Punën e tij nuk do ta ndërronte, siç thotë, as me të qenët kryetar bashkie. Ajo çfarë bën, e emocionon ende dhe sot, në moshën 72-vjeçare.