Vajzat e Kosovës shkruajnë historinë, fitojnë tre medalje në turneun botëror të xhudos

32

Sportistet kosovare arrijnë të korrin sukses në eventin botëror të radhës në xhudo duke fituar tre medalje.

Xhudisjta 25-vjeçare Distria Krasniqi arriti të fitojë medalje të artë në eventin Masters që po mbahet në Doha të Katarit.

Në kategorinë nën 48 kilogramëve, Krasniqi fitoi për 90 sekonda përballë japonezes Tonaki Funa. Kjo ishte hera e tretë që ajo merr medalje të artë në turnetë Masters.

Për përfaqësuesen e Kosovës kjo ishte medalja e tretë në këtë event. Paralelisht, kampionia Majlinda Kelmendi mori medalje të bronztë pasi mposhti belgen Charline Van Snick. Ajo më parë në gjysmëfinale qe mundur nga francezja Amandine Buchard në kategorinë nën 52 kilogramë.

Po kështu edhe Nora Gjakova mori medalje të bronztë duke mposhtur portugezen Telma Monteiro në kategorinë nën 57 kilogramë. Në gjysmëfinale ajo humbi me Tsukasa Yoshidan.

Sporti i xhudos është një nga më të suksesshmit për Kosovën në rang ndërkombëtar ku përveç Distria Krasniqit, Majlinda Kelmendi ka shkëlqyer duke shkruar dhe historinë si sportistja e parë që fiton medalje ari në Lojëra Olimpike, arritje që e shënoi në vitin 2016.