Vendet e BE, 5.45 miliardë euro investime në Shqipëri, shifra më e lartë në rajon

99

Investimet e huaja direkte nga vendet e Bashkimit Europian drejt Shqipërisë në fund të vitit 2017 arriten në 5.45 miliardë euro, sipas statistikave që janë publikuar në sistemin e të dhënave të Eurostat.

Investimet e BE në Shqipëri janë 47%, duke qenë në këtë mënyrë më të lartat në rajon, në raport me madhësinë e ekonomisë, sipas të dhënave të Eurostat

Në vend të dytë renditet Mali i Zi me 37% të PBB dhe më pas Serbia me 36%. Për Maqedoninë ky tregues është rreth 24% e PBB-së, ndërsa shteti që tërheq më pak investime nga Bashkimi Europian është Bosnja, me vetëm 15% të PBB-së.

Sipas shifrave të tjera, që publikohen nga Banka e Shqipërisë, investitori më i madh nga shtetet e BE-së, por gjithashtu dhe më i madhi në total, është Greqia, me një stok total prej 1.2 miliardë eurosh deri në fund të 2017-s.

Në vend të dytë nga shtetet e BE-së është Holanda me një stok prej 827 milionë eurosh, si rrjedhojë e investimeve të mëdha në energji, përmes hidrocentraleve të Devollit dhe Moglicës.

Më pas renditet Italia, me 610 milionë euro me investime në sektorin financiar dhe aktivitete të përpunimit; Austria me 447 milionë euro, kryesisht në energji. Vitet e fundit në listë është shtuar dhe Franca, me 178 milionë euro, si rrjedhojë e kompanisë franceze Sipecapag që po kryen punime për gazsjellësin TAP.