Zvicra iu shtua listës së vendeve që heqin kufizimet anti-Covid për shtetasit shqiptarë. Vendimi ka hyrë në fuqi këtë të shtunë, ku për të hyrë ën Zvicër, sipas këtij urdhri mjafton bileta, pasaporta dhe një maskë.
Vendet që nuk kërkojnë test apo vaksinë për pasaportat shqiptare deri tani janë Austria, Holanda, Belgjika dhe Zvicra. Por cilat janë vendet e tjera që kanë hequr, apo lehtësuar lëvizjen për shqiptarët? Austria ishte ndër të parat që hoqi kufizimet, duke lënë si kusht të vetëm maskën e llojit FFP2.
Franca gjithashtu ka zbutur kufizimet për hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike, ndërsa sa u takon personave të pa vaksinuar, ata mund të udhëtojnë vetëm nëse kanë një test PCR të 72 orëve të fundit, ose testin e antigjenit.
Personat që janë të vaksinuar me Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë të lirë të hyjnë në Francë, kurse vaksinat e tjera, ende nuk njihen. Prova e vaksinimit është e vlefshme nëse lejon të vërtetohet përfundimi i një kohe të plotë të vaksinimit, përkatësisht:
• 2 javë pas injeksionit të 2-të për vaksinat me injeksion të dyfishtë (Pfizer, Moderna, AstraZeneca);
• 4 javë pas injeksionit për vaksinat me një injeksion të vetëm (Johnson & Johnson);
• 2 javë pas injeksionit për vaksina te njerëzit me histori të Covid-19 (kërkohet vetëm 1 injeksion).
Danimarka prej 25 qershorit hoqi kufizimet për hyrjen e udhëtarëve shqiptarë me pasaportë biometrike. Qytetarët shqiptarë mund të udhëtojnë, mjafton që të kenë një PCR të 72 orëve të fundit, test antigjen, ose certifikatën e vaksinës së aprovuar nga EMA, pra AstraZebecan, Pfizer, Moderna ose Johnson&Johnson.
Holanda hoqi duke filluar nga 24 qershori të gjitha kufizimet për pasagjerët shqiptarë me pasaporta biometrike që udhëtojnë për atje, pavarësisht arsyes. Në këtë vend nuk kërkohet test dhe as kriter vaksine.
I vetmi kriter që u kërkohet qytetarëve shqiptarë është që të plotësojnë Formën e Deklaratës së Shëndetit në linkun: https://ëëë.government.nl/documents/publications/2020/07/07/information-for-passengers-flying-to-and-from-the-netherlands
Shteti i parë i BE që hapi kufijtë për shqiptarët ishte Bullgaria. Ajo njeh të gjitha llojet e vaksinave, ndërsa për udhëtarët e pavaksinuar kërkohet një test PCR. I njëjti vendim është marrë edhe nga Rumania.
Spanja ka lehtësuar prej disa ditësh tashme kriteret e udhëtimit për shqiptarët. Atje mund të hyjnë vetëm qytetarët shqiptarë që kanë vërtetim se kanë bërë të dyja dozat e vaksinës dhe të paktën 14 ditë kohë parë udhëtimit. Vaksinat që njeh janë Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, Janssen, Sinopharm apo Sinovac-CoronaVac .
Hungaria gjithashtu njeh të gjitha llojët e vaksinave pas një marrëveshjeje mes dy vendeve për njohje të ndërsjellë të tyre.
Gjermania ka hapur dyert, por me kusht që qytetarët të jenë të vaksinuar me një nga tre vaksinat e njohura nga EMA, të kenë një dëshmi që kanë kaluar më parë Covid, apo një test negativ të 72 orëve të fundit.
Greqia liroi masat më 19 qershor. Ky vend njeh të gjitha vaksinat dhe lejon udhëtimit për çdolloj arsyeje.
Udhëtarët do të duhet të kenë me vete:
Formularin e Lokalizimit të Pasagjerëve (i detyrueshëm për të gjithë, nga të gjitha pikat kufitare, tokësore ose ajrore.
Certifikatë vaksinimi, test PCR ose Rapid.
Ose certifikatë e diagnozës pozitive (e vlefshme për 2 deri në 9 muaj)
Fëmijët mbi 12-vjeç do të kenë të njëjtat kritere si të rriturit. Pavarësisht kësaj, në pikat kufitare do të vijojnë të kryhen teste të rastësishme nga autoritetet përkatëse.
Lëvizja lejohet edhe me Turqinë, nëse ka dëshmi të vaksinimit, test negativiteti, apo kalimi të Covid.
Mes vendeve ku shqiptarët nuk mund të udhëtojnë janë Italia, Suedia, Portugalia, Sllovenia, Republika Ceke dhe Sllovakia. Shqipëria është përfshirë në listën jeshile nga BE, që do të thotë me rrezikshmëri të ulët infeksioni e me të cilën rekomandohet hapja e kufijve.
Por, secili shtetet anëtar e ka në dorë vetë që të përcaktojë afatet dhe kushtet. Vendimi i BE u lë po ashtu dorë të lirë vendeve anëtare të zgjedhin se cilat certifikata do të pranojnë, cilat vaksina do të njohin dhe çfarë kufizimesh do të vendosin në kufi.