Vendimi i qeverisë për dhënien e ndihmës financiare prej 4 mijë lekësh për çdo të punësuar në ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet në kuadër të pandemisë COVID-19 ka hyrë në fuqi.
Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare, ç’ka i hap rrugën zbatimit të tij.
Ky vendim synon dhënien e ndihmës financiare për ndërmarrjet e kategorizuara të vogla dhe të mesme në sektorin e prodhimit.
Ndihma financiare shtrihet për periudhën nëntor–dhjetor 2020 dhe u jepet ndërmarrjeve për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet, në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve.
Skema jep ndihmë financiare të drejtpërdrejtë për ndërmarrjet, që të mbulojë një pjesë të shpenzimeve, për të zbatuar protokollet,në kuadër të pandemisë COVID-19, bazuar në numrin e të punësuarve. Skema mbështetëse llogaritet e jepet për ndërmarrjet, të punësuarit e të cilave figurojnë në listëpagesat e përditësuara të tatimpaguesit, për muajin qershor 2020, të dorëzuara përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Ndërmarrja për çdo të punësuar në më tepër se një listëpagesë përfiton vetëm një herë ndihmën financiare, sipas këtij vendimi. Në rastet kur i punësuari është në më tepër se një listëpagesë dhe kontributet paguhen nga të dyja ndërmarrjet, ndihmën financiare e merr ndërmarrja, e cila aplikon e para.
Ndërmarrjeve u jepet si ndihmë financiare një shumë fikse, në masën 4 000 (katër mijë) lekë për çdo punonjës, e llogaritur për dymujorin nëntor–dhjetor 2020, respektivisht 2 000 (dy mijë) lekë për çdo muaj.
Aplikimi për përfitimin e ndihmës financiare kryhet nga ana e ndërmarrjeve në sistemim e-filling, duke deklaruar: NIPT-in e përfituesit; numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti;c) bankën, ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare.
Me qëllim shmangien e abuzimit, strukturat e administratës tatimore, duke përdorur analizën e riskut, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e aplikimit, mund të kryejnë edhe verifikime të ndërmarrjeve përfituese, nëse përmbushen kriteret.
Lista e ndërmarrjeve përfituese publikohet në website-in e administratës tatimore. Në zbatim të legjislacionit ekzistues, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i paraqet Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit (strukturës përgjegjëse për thesarin në degë) dokumentacionin përkatës për kryerjen e pagesave të detajuara, sipas bankave të nivelit të dytë, të cilat i informon për listën/listat e ndërmarrjeve përfituese të skemës mbështetëse, me të dhënat e mëposhtme: NIPT-in e përfituesit; numrin total të punonjësve për të cilët përfiton subjekti; bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare; IBAN-in e llogarisë bankare.
Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, në zbatim të procedurave ekzistuese, menjëherë, me paraqitjen e urdhërshpenzimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen pagesat në total për çdo bankë të nivelit të dytë dhe kjo e fundit, bazuar në listën përmbledhëse të mësipërme të paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, kryen transfertat në llogaritë bankare të ndërmarrjeve përfituese sipas këtij vendimi.
Ndihma financiare për ndërmarrjet përfituese mbulon periudhën nëntor–dhjetor 2020 dhe përfitohet vetëm një herë si shumë e vetme. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, deri në masën 187 milionë lekë, përballohen nga zëri “nxitja e punësimit”, në programin 10550, “Tregu i punës”, në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.