Vendimi/ Njihuni me 11 kategoritë e studentëve që përjashtohen nga tarifa e studimit

104

Qeveria shton kategoritë e studentëve të cilët nuk do të paguajnë tarifën e studimit në Universitet. Të gjithë studentët e rinj që kanë mestaren më të lartë se 9 dhe që vazhdojnë Universitetin në degën e mësuesisë, nuk do të paguajnë tarifën e studimit. Në total janë 11 kategori studentësh që nuk do paguajnë tarifën e studimit. Tarifa e studimit nga të gjithë studentët paguhet në muajin janar dhe nga këto 11 kategori përjashtohen nga tarifa.

11 kategoritë

-Studentët me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, si dhe studentët fëmijë të personave/familjes me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të KMCA-së për punë, familjet e të cilëve trajtohen/përfitojnë nga ligji nr. 9355, datë 10.3.2005, “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, të ndryshuar, ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

-Studentët, familjet e të cilëve trajtohen /përfitojnë ndihmë ekonomike të plotë apo të pjesshme nga njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, si dhe studentëve deri në moshën 25 vjeç, që kanë vetëm njërin nga prindërit, pasi prindi tjetër është ndarë nga jeta, me të ardhura vjetore të familjes të pamjaftueshme për përballimin e kostos së studimeve.

-Studentët, që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.

-Studentët deri në moshën 25 vjeç, që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë.

–    Studentët deri në moshën 25 vjeç, që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore.

-Studentët fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, të konfirmuar nga ministria përgjegjëse për punët e brendshme dhe ajo e mbrojtjes.

-Studentët romë dhe ballkano-egjiptianët, të konfirmuar si të tillë nga ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale.

-Studentët fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie.

-Studentët e shkëlqyer që rezultojnë me notën mesatare vjetore 10 (dhjetë), për studentët e regjistruar në vitet pas të parit, notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha provimeve/detyrimeve të shlyera dhe të parashikuara për programin përkatës të studimit për vitet pararendëse. Këta studentë duhet të kenë shlyer të gjitha detyrimet akademike të parashikuara për vitet e mëparshme të programit të studimit përkatës, brenda përfundimit të vitit akademik paraardhës.

-Studentët e shkëlqyer, me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, që ndjekin studimet në një program studimi të ciklit të parë, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet publike të arsimit të lartë. Notë mesatare maksimale do të konsiderohet nota 10 (dhjetë) e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë dhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore. Lista e studentëve të shkëlqyer hartohet nga Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe dërgohet në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si dhe në institucionet publike të arsimit të lartë.

-Përjashtimisht për vitin akademik 2018-2019, studentët e regjistruar në vitin e parë dhe në vitet pas të parit, në ciklin e parë të studimeve, në institucionet publike të arsimit të lartë në programet e studimit në fushën e mësuesisë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2018–2019”. Studentët e regjistruar në vitin e parë, sipas përcaktimeve të kësaj shkronje, duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare 9 deri në 10, e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.
Studentët e regjistruar në vitet pas të parit, sipas përcaktimeve të kësaj shkronje, duhet të përmbushin kriterin e notës mesatare 9 deri në 10, e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha detyrimeve të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe të shlyera për vitet pararendëse.
Studentët përfitojnë përjashtimin nga tarifa vjetore e shkollimit vetëm për periudhën që ndjekin studimet në këto programe studimi dhe për kohëzgjatjen normale të programit të studimit.