Vendimi zyrtar/ Ja kategoritë që përfitojnë shpërblim për festat e fundvitit

35

Nga sot, 695 mijë pensionistë kanë nisur që të marrin shpërblimin 5 mijë lekë për festat e fundvitit. Të drejtën për këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31 dhjetor.

Bonusin e fundvitit e përfitojnë ata që marrin pension pleqërie, pension për punën në miniera, veteranët e lancc-it, ata që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe ata që përfitojnë pension suplementar. Ndërsa individët që trajtohen me pagesë invaliditeti, do të përfitojnë 6 mijë lekë kompensim financiar.

Për festat e fundvitit do të përfitojnë edhe katër kategori të tjera, përveç pensionistëve. Sipas VKM-së, do të shpërblehen me 30 mijë lekë familjet me ndihmë ekonomike, të verbrit, paraplegjikët dhe tetraplegjikët, si edhe të gjitha ato familje që kanë një person me aftësi të kufizuara i cili trajtohet me kemp.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar shpërblehen financiarisht, për vitin 2022, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:

a) Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;

b) Familjet të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;

c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;

ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.

2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 399 000 000 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.

3. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet në VKM.