Vërtetimin për patentat mund ta merrni në çdo përfaqësi konsullore jashtë vendit

349

Shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit tashmë mund të marrin vërtetim mbi verifikimin e lejes së drejtimit në çdo përfaqësi diplomatike dhe konsullore.

Ky shërbim konsullor mund të merret brenda një kohe të reduktuar prej 2 javësh, duke aplikuar online dhe shmangur kështu paraqitjen në përfaqësi diplomatike dhe me një kosto të reduktuar për shkak të thjeshtimit të procedurave.

Shtetasit shqiptarë të cilët kanë nevojë të pajisen me Vërtetimin e Verifikimit të Lejes së Drejtimit (Patentës) për Konvertim ose Denoncim, pas plotësimit të formularit dhe kryerjes së verifikimeve të nevojshme nga përfaqësues të Ambasadës/Konsullatës, njoftohen se aplikimi është pranuar.

Shtetasi shqiptar informohet me anë të emailit mbi procedurat që duhen ndjekur në vijim për kryerjen e pagesës, dërgimin e mandatin origjinal dhe dërgimin e një zarfi me pullë të parapaguar me adresën e shtëpisë të shënuar qartë dhe me gërma të mëdha për dërgimin e Vërtetimit të Lejes së Drejtimit për konvertim ose denoncim.

Vërtetimi mbi verifikimin e lejes së drejtimit (Patentës) për konvertim ose denoncim dërgohet me postë në adresën e shënuar nga vetë qytetari.

Informimi i hapave të ndërmarra dhe njoftimi kryhet me anë të adresës elektronike (e-mail) të shënuar në formularin e aplikimit.

Të interesuarit luten të kontrollojnë rregullisht emailin për njoftime dhe përditësime të statusit të aplikimit.

Dokumentacioni i nevojshëm është fotokopje të Kartës së Identitetit ose Pasaportës, fotokopje e Lejes së Drejtimit nga para; Fotokopje e Lejes së Drejtimit nga mbrapa.

Hapat e procedurës janë identifikimi në portalin e-Albania. Zgjedhja e shërbimit “Aplikim për Vërtetimin e Verifikimit të Lejes së Drejtimit (Patentës) për Konvertim ose Denoncim. Klikohet butoni “Përdor”dhe zgjidhet nëse do të kryet një aplikim i ri apo do të gjurmohet statusi i një aplikimi ekzistues

Për të gjurmuar statusin e një aplikimi ekzistues, vendosni numrin e aplikimit dhe më pas klikoni butonin “Kërko”. Për të kryer një aplikim të ri, plotësoni të dhënat personale dhe ngarkoni dokumentet që janë të domosdoshme për verifikim të identitetit.

Me anë të e-mail të plotësuar në rubrikën përkatëse, do t’ju dërgohet konfirmimi i aplikimit si dhe kodi i veçantë i aplikimit (i cili mundëson ndjekjen e ecurisë së aplikimit në çdo moment)

Pas pranimit të aplikimit, ndiqni procedurat për të kryer pagesën, dhe për të dërguar me postë në zarf dokumentet, mandatin origjinal (jo fotokopje) dhe zarf me pullë me adresën tuaj të shënuar për dërgimin e Vërtetimit në adresën ku banoni.

Pas kryerjes së verifikimeve përkatëse, ju do të njoftoheni me email për përfundimin e aplikimit dhe dërgimin e Vërtetimit me postë në adresën e shënuar nga ana juaj.

Tarifa e shërbimit është 30 euro ose vlera ekuivalente e vendit

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 7 deri në 14 ditë në varësi të kohës së nevojshme për procedurat e verifikimit.

Dokumenti dërgohet menjëherë në zarfin me adresën dhe pullën e postës të parapaguar.