Vetitë terapeutike/ Si ndikon muzika tek gjendja jonë emocionale

20

Muzika është një formë arti dhe kulture e përhapur ndër shekuj në mënyra të ndryshme në të gjithë botën. Format e para të muzikës janë gjetur që rreth 40.000 vite më parë.

Në këto shekuj e deri në ditët e sotme meloditë kanë lënë shenja të rëndësishme për të gjithë njerëzimin. Që nga flauti i lashtë e deri tek kitara elektrike, muzika i ka shoqëruar popujt në çdo pjesë të tyren.

Pra, një pjesëz historie që është sa e vjetër dhe aq edhe e re njëkohësisht. Tashmë prej disa dekadash muzikën mund t’a shijojni dhe t’a përjetojni në çdo moment nëpërmjet paisjeve elektronike. Në të shumtën e  rasteve njerëzit dëgjojnë muzikë për t’u qetësuar apo për t’u argëtuar.

Këtë pohim e nënvizojnë edhe ekspertët së fundëmi të cilët thonë se muzika ndikon gjendjen emocionale të njeriut. Në këtë artikull do mësoni se si muzika ndikon gjendjen tuaj emocionale dhe shëndetin mendor.

Muzika melankolike dhe shëndeti

PLOS ONE, quhet studimi më i ri i publikuar nga Universiteti Durham në Britaninë e Madhe dhe Universiteti i Jyväskylä i Finlandës. Ky studim të cilit i referohet AgroWeb.org, tregon për efektin që muzika ka në mënyrën se si njerzit e përjetojnë botën.

Ky studim mori në survejim rreth 2,400 persona në Britaninë e Madhe dhe në Finlandë, të cilët u pyetën për emocionet që përjetonin teksa dëgjonin muzikë.

Rezultatet e anketimit treguan disa mënyra se si njerëzit arrijnë t’i përjetojnë emocionet e tyre me ndihmën e muzikës. Gjithashtu treguan se muzika ka aftësi rehabilituese për trurin dhe funksionon si një terapi që siguron rehati.

Muzika ritmike

Një studim i publikuar në Journal of Positive Psychology në vitin 2013 tregoi se personat që dëgjojnë muzikë ritmike përmirësojnë emocionet  në vetëm dy javë.

Në këtë studim anketuesve i’u kërkua të mundoheshin të rregullonin humorin e tyre me anë të muzikës. Ata u shprehën se arritën të ndjeheshin më mirë kur dëgjonin muzikë ritmike.

Terapia nëpërmjet muzikës

Shoqata e Terapisë Muzikore në Amerikë raporton se terapia nëpërmjet muzikës mund të përdoret për të arritur qëllimë të ndryshme.

Këtu mund të përfshihen ato kundër stresit, dhimbjes, traumave apo memories. Terapia nëpërmjet muzikës i ndihmon njerëzit të çlirohen edhe nga dhimbjet fizike pasi qetësojnë trupin duke reduktuar ndjenën e ankthit. Sidomos në problemet neurologjike muzika mund të luajë një rol kyç në trajtimin e paçientëve dhe çlirimit të tyre nga këto probleme.

Këtu mund të përfshihen sëmundje të kujtesës siç është dementia apo parkinsoni dhe të tjera që përfshijnë simptoma depresive. Gjeni muzikën që keni më përzemër dhe dëgjojeni sa herë keni nevojë për një ndjesi qetësimi shpirtëror.