VIDEO/ Dy nxënësit ekselentë në Pogradec hapin një kanal në You Tube për të ndihmuar shokët

86

Jo vetëm të talentuar por edhe me shumë vullnet për të punuar në lëndët shkencore, Klajdi dhe Kristjani dy maturantët nga Pogradeci, pjesëmarrës të rregullt edhe në olimpiada kombëtare, nxitur nga mësimi në distancë kanë krijuar së fundmi një kanal youtube që ju vjen në ndihmë nxënësve të tjerë që nuk e kanë të lehtë të zgjidhin ushtrime kryesisht në matematikë apo fizikë, vetëm me shpjegimin e mësuesve.

Kristjan Angjo: Ne e kemi filluar këtë nismë që para gjashtë muaj, edhe pse idea na lindi që që në periudhën e parë të karantinës. Ne besojmë se një galeri online me video shpjeguese në lidhje me temat mësimore ndihmon shumë nxënësit që nuk kanë mundësi të shkojnë në kurse private dhe i ndihmon ata të ecin sipas ritmit të tyre, sidomos në këtë periudhë pandemie ku mësimi online është bërë i domosdoshëm.

Rrjetet sociale krah argëtimit po përdoren më së miri nga dy nxënësit ekselentë si kurse plotësuese për tema të ndryshme mësimore.

Klajdi Xhambazi: Emri 2plusdy simbolizon thjeshtësinë që ne përdorimin në trajtimin e temave të ndryshme mësimore . Në secilin videoleksion mundohemi që edhe temat e vështira mësimore ti kthejmë në sa më te kuptueshme. Synojmë te kapim logjikën dhe jo të mësojmë përmendesh. Ne shpresojmë që në një të ardhme të afërt të kemi plotësuar galerinë tonë online me çdo temë mësimore.

Dhe mesa duket idea e gjimnazistëve është pritur mjaft mirë nga bashkëmoshatarët e tyre.

Kristjan Angjo: Duke përmendura rreth 360 të anëtarësuar, 1000 orë shikimi dhe afërsisht 100 videoleksioneve të postuara në kanalin tonë Youtube mund të themi që interesi ka qenë i lartë. Nxënësit na kontaktojnë gjithashtu edhe në Instagram ku na pyesin për probleme të ndryshme të cilat nuk i kuptojnë ose hasin vështirësi.

2plusdy kanali më i ri në youtube i Klajdit dhe Kristjanit është një dritare e re mësimi për sistemin parauniversitar.

Klajdi Xhambazi: Ju ftoj të na ndiqni në kanalin tonë në youtube e duke e shpërndarë atë me miqtë tuaj.