VIDEO/ Foka e Mesdheut vazhdon të befasojë në brigjet e Karaburunit

111

Foka e Mesdheut (Monachus monachus) është shfaqur disa ditë më parë në afërsi të bazës ushtarake në Pashaliman, Vlorë. Ky raportim u krye nëpërmjet pamjeve filmike të regjistruara nga një vizitor në zonë.

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) bën të ditur se prania e këtij lloji në brigjet e Shqipërisë na bën krenarë dhe na motivon akoma më tepër për të ruajtur ekosistemet detare, si një nga pasuritë më të mëdha të vendit tonë.

“Ekipi ynë, që prej vitit 2018, është duke punuar për identifikimin e habitateve potenciale për strehimin dhe riprodhimin e fokës së Mesdheut në Shqipëri”, – tha PPNEA.

PPNEA falënderon të gjithë mbështetësit, të cilët tregojnë kujdes ndaj këtij lloji, duke dhënë një shembull të vyer për të gjithë shoqërinë tonë.

Në vendin tonë jetojnë shumë specie detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara, si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinët, si edhe peshkaqenë.