VIDEO – Pelikani kaçurrel shfaqet në Lagunën e Vilunit, Velipojë

67

Pelikani kaçurrel është parë edhe në Lagunën e Vilunit në Velipojë. Lajmi bëhet i ditur nga Administrata e Zonave të Mbrojtura Shkodër e cila ka postuar një video me pamje të pelikanit kaçurrel në këtë lagunë.

“Pelikani kaçurrel (Pelecanus crispus) në Lagunën e Vilunit, Velipojë”, informon Administrata e Zonave të Mbrojtura, Shkodër.

Liqeni i Shkodrës, një nga habitatet më të banuara nga specie të ndryshme fluturakësh, po rikthehet në gjendjen e vet tradicionale pas vendosjes së moratoriumit mbi gjuetinë e paligjshme.

Nga specialistët e mjedisit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet e pakta në Evropë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit Lagunën Divjakë-Karavasta.

Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.

Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.

Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 m. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet.