Vijon asfaltimi i unazës së re në Berat

52

Fondi Shqiptar i Zhvillimit është drejt përfundimit të rikualifikimit urban të unazës së re në Berat.

Me përmirësimin e infrastrukturës rrugore synohet të zgjidhet problemi i trafikut në rrugët e brendshme të qytetit, duke filluar nga ish-markata deri në drejtim të lagjes Uznovë, investim i cili krijon akses dhe mundësi për të eksploruar qytetin.

Ky rrjet i ri rrugor përfshin korsi biçikletash të dedikuar dhe trotuare për lëvizjen e banorëve në qytet.

Duke qenë se Berati është e vetmja ‘urë lidhëse’ për të shkuar në Çorovodë dhe Poliçan, rehabilitimi i këtij aksi lehtëson, afron dhe ndërlidh banorët e zonës si dhe shkurton kohën e lëvizjes drejt këtyre qyteteve. Gjithashtu me zhvendosjen e lëvizjes së mjeteve të rënda për transport mallrash dhe materialesh ndërtimi, jo vetëm lehtësohet lëvizja por edhe minimizohet ndotja ambientale dhe sigurohet ruajtja e zonës së mbrojtur nga UNESCO.

Ndërhyrja në infrastrukturë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, rritjen e standardit dhe e bën më të prekshme zonën për turistët, kjo e fundit industria kryesore dhe gjithnjë e në rritje për qytetin.

Rikonstruksioni i rrugës parashikohet të shërbejë si një “kalim i ri turistik”, përfshirë këtu dhe korsinë e biçikletave përgjatë gjithë gjatësisë (si forma më e re sportive) që nxit shtigje të reja për zhvillim të mëtejshëm në agroturizëm (restorante, bujtina) dhe aktivitete argëtuese, për vizitorët. Për vendasit është mundësia më e mirë pasi lehtëson nxjerrjen e produkteve vendase në treg (mjaltë, çaj etj).

Realizimi i këtij projekti nxjerr në pah dhe mbron vlerat e zonës, pasi tradicionalisht zona njihet për mikpritjen e veçantë, peizazhin, kuzhinën karakteristike tradicionale të kombinuar me atë moderne, (ku përfshihen ullinjtë, mishi i qengjit dhe ai i gjelit të detit) por edhe verërat e prodhuara nga vreshtat rreth qytetit të Beratit.