Vijon puna për rikualifikimin e qendrës së Fierit dhe lumit Gjanica

78

Vazhdon puna për rikualifikimin urban të qendrës së Fierit dhe rehabilitimit të Lumit Gjanica një ndër projektet më të mëdha të ndërmarra në këtë qytet vitet e fundit.

Projekti ka për qëllim të shndërrojë qendrën e qytetit dhe lumin Gjanica në zemrën e këtij qyteti. Sheshi qendror i qytetit është pika e takimit të pesë rrugëve të qytetit.

Pas investimit të kryer për rehabilitimin e këtyre rrugëve rikonceptimi i sheshit dhe i lumit Gjanica përmbyllin objektivin për të transformuar rrënjësisht qendrën e qytetit jugor.

Janë 60,000 metra katrorë hapësira që i janë nënshtruar rehabilitimit dhe që po transformohen në hapësira urbane dhe rekreative. Në kuadër të të njëjtit projekt punohet edhe për rinovimin e fasadave të ndërtesave rreth sheshit, ndërtimi i korsive të biçikletave, ndërtimin e një parkimi nëntokësor prej 100 vendesh, etj.

Ndërkaq, në lumin Gjanica është punuar për ndërtimin e skarpateve. Për të mundësuar betonimin e tyre u ndryshua edhe rrjedha e lumit.

Po shtrohen pllakat në pjesën e sipërme të skarpateve mbi lumë dhe po ndërtohen lulishtet. Krahas rikonstruksionit të dy urave ekzistuese mbi lumë, projekti parashikon edhe ndërtimin e dy urave të reja: një urë automobilistike dhe një urë për këmbësorë.