Vijon trendi në rritje i turizmit, 1.5 milionë vizitorë të huaj në 3 muajt e parë të vitit

11

Shqipëria po shndërrohet në një destinacion të kërkuar turistik gjithëvjetor.

Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar në muajin mars të këtij viti shënoi një rritje prej 47.1 %, duke arritur 564.975.

INSTAT publikoi sot raportin e lëvizjes së shtetasve për muajin mars.

Të dhënat tregojnë se shtetasit europian shënuan numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri. Konkretisht, nga gati 565 mijë të huaj që vizituan vendin, 539.683 ishin shtetas europianë.

14 267 shtetas ishin nga Amerika dhe 5 254 shtetas ishin nga Azia Lindore dhe Paqësori.

Krahasuar me marsin e 2023, hyrjet e shtetasve të huaj shënojnë rritje me 45.2 % për qëllime personale, rritje me 44.7 % për qëllime pushime,vizitë tek të afërm, etj dhe një rritje prej 2.1 herë për biznes dhe qëllime profesionale.

Statistikat tregojnë se përgjatë 3-mujorit vendin tonë e vizituan 1 535 113 shtetas të huaj ose gati 500 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2023-shit, kur Shqipëria u vizitua nga 1 070 564 shtetas të huaj.

Mediet ndërkombëtare, në shkrimet e botuara prej tyre, vijojnë të sugjerojnë Shqipërinë si një ndër vendet që duhet vizituar.

Vendi u vizitua vitin e shkuar nga 10.1 milionë të huaj, ndërsa autoritetet në vend janë optimist se numri i të huajve që do të zgjedhin Shqipërinë si destinacion turistik do të arrijë 14 milionë.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë, Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve, edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

/ata.gov.al