Vitet e punës/ Si merret pensioni në Shqipëri për emigrantët?

120

15 vite pune në Shqipëri, i duhet një emigranti që të marrë pension në vendin tonë. Drejtori i ISSH-së Astrit Hado u shpreh dje se aktualisht Shqipëria ka nënshkruar marrëveshje me disa shtete për njohjen e viteve të punës.“Për të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë një periudhë vjetërsie pune në Shqipëri dhe kanë emigruar e punojnë në vende të tjera, në qoftë se nuk plotësojnë 15 vjet vite pune në Shqipëri, hyn në lojë instrumenti i marrëveshjeve qeveritare.

Ne aktualisht kemi marrëveshje me disa shtete: Turqi, Gjermaninë, Hungarinë, Rumaninë, Maqedoninë Luksemburgun dhe Belgjikën, të cilat janë në fuqi. Më 1 dhjetor fillon dhe zbatohet dhe marrëveshja me Austrinë. Janë gati dhe dokumentat për tu nënshkruar me marrëveshjen me Zvicrën, nga pikëpamja teknike është e realizuar e gjitha. Në të njëjtën situatë është dhe marrëveshja me Kanadanë”, – tha Astrit Hado në një deklaratë për mediat. Ndërkohë për sa i përket marrëveshjes me Italinë dhe Greqinë, Hado theksoi se ende nuk kanë nsiur negociatat.

“Për fillimin e një marrëveshje me Greqinë dhe me Italinë gjërat janë pak më ndryshe. Me palën greke, për hir të së vërtetës nuk është se kemi një zhvillim të ri. Me palën italiane janë bërë disa takime të karakterit teknik për fillimin e negociatave, por jemir akoma në pritje të dakortësisë apo reagimit të palës italiane”, – u shpreh Drejtori i Instituti të Sigurimeve Shoqërore.

Skema për emigrantët
Sigurimi vullnetar është një e drejtë që vepron për të gjithë personat e interesuar, shtetas shqiptarë në Shqipëri, dhe vetëm për shtetasit shqiptarë kur jetojnë jashtë shtetit. Në kushtet për të përfituar një pension të pjesshëm pleqërie duhen minimalisht 15 vite sigurim, dhe për një pension të plotë pleqërie duhen 35 vite.

Kjo skemë njeh të drejtën për: –sigurim vullnetar në kushtet kur personat e interesuar nuk janë ekonomikisht aktivë dhe sigurohen për vitin korent. Ata kanë të drejtë të paguajnë kontribute deri në nivelin maksimal, për përfitime deri në nivelin maksimal të pensionit të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familiar;

-zgjerimin vullnetar të degës së sigurimit për dy grupe të mëdha: të vetëpunësuarit dhe punëdhënësit, të cilët janë në skemën e sigurimit të detyrueshëm. Kjo do të thotë se ata mund të sigurohen vullnetarisht për përfitime që nuk mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm si: në rast aksidenti në punë, sëmundje profesionale dhe paaftësi të përkohshme në punë;

-mbulim vullnetar të periudhave të kaluara. Pra, personat e interesuar mund të sigurohen vullnetarisht për periudha të kaluara që nuk janë mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm, duke filluar nga 01.10.1993. Përfitimet në këtë fushë janë vetëm për pension pleqërie, invaliditeti dhe familiar;

-më shumë të ardhura për të vetëpunësuarit, të punësuarit dhe punëdhënësit privatë. Kështu, të vetëpunësuarit, (me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi), të punësuarit dhe punëdhënësit privatë, vazhdojnë krahas sigurimit të detyrueshëm, edhe sigurimin vullnetar për një pension më të lartë të pleqërisë, invaliditetit dhe atij familjar.

Për të përfituar një pension të plotë duhen plotësuar dy kushte kryesore, që janë mosha, si dhe vjetërsia në punë. Kjo kategori mund të sigurohet për vitet e mbetura për të marrë përfitim të pjesshëm apo të plotë, sipas rastit.