Viti 2023, mjekët dhe mësuesit do të përfitojnë rritje pagash prej 6%

5

Mjekët dhe mësuesit do të përfitojnë gjatë 2023 rritje pagash prej 6%. Kjo rritje do të hyjë në fuqi në korrik të këtij viti, ndërsa do të përfitojnë rreth 19 mijë mjekë, infermierë dhe profesionistë që ofrojnë shërbimin në sistemin tonë shëndetësor në atë parësor dhe spitalor, gjithashtu dhe në institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë ku bëjnë pjesë profesionistë të shëndetësisë, sikurse janë epidemiologët apo punonjësit e shëndetit publik.

Ndërkohë që nga ky vendim përfitojnë edhe 36 700 punonjës mësimorë, mes të cilëve për herë të parë edhe punonjësit psiko-socialë dhe punonjësit e sigurisë.

Do të përfitojnë edhe punonjësit e arsimit profesional, arsimit parashkollor, qendrave kulturore të fëmijëve dhe konvikteve.

Konkretisht nga miratimi i këtij vendimi përfitojnë rreth 30200 mësues, rreth 790 punonjës psikologë, punonjës socialë dhe oficerë sigurie, rreth 1300 punonjës të arsimit profesional në varësi të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si dhe rreth 4410 punonjës të institucioneve të arsimit parashkollor, qendrave kulturore të fëmijëve dhe të konvikteve shkollore, në varësi të njësive të vetëqeverisjes vendore.

Politika e rritje së pagave është përfshirë në mbështetjen që qeveria ka për mjekët, infermierët si dhe mësuesit.

Gjatë dy mandateve rritja e pagave për mjekët e infermierët ka qenë konsistente dhe në vazhdim, 63 % janë rritur pagat për mjekët e infermierët në këto vite dhe 40 % ka qenë rritja historike për pagat në vitin 2021.

Efekti financiar i rritjes së pagave për mjekët dhe infermierët dhe shpërblimeve është rreth 10 milionë dollarë dhe i shtrin efektet nga data 1 korrik 2022.