Viti i Skënderbeut, 550 pemë në Petrelë nga arbëreshët e Italisë

322

Ky 17 janar shënon 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, përfaqësuesi më konsekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese mesjetare shqiptare që udhëhoqi më vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër vendosjes së sundimit osman.

Në kuadër të organizimeve për vitin jubilar të Skënderbeut, Tiranën po e vizitojnë përfaqësues të komunitetit arbëresh në Itali, të cilët kanë ruajtur të gjallë në këngë figurën e heroit tonë kombëtar.

Sëbashku me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, arbëreshët e ardhur nga jugu i Italisë do të mbjellin nesër 550 ullinj rreth kalasë së Petrelës, si simbol i paqes dhe i harmonisë mes njerëzve, një trashëgimi e lënë që nga koha e Skënderbeut.

 Ditën e nesërme, figura të larta shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe trevat e tjera shqiptare do të marrin pjesë në ceremoninë e posaçme që do të organizohet në përkujtim të figurës dhe veprës së Heroit tonë.

 Ceremonia do të nisë në orën 17.30  me një ecje nga sheshi “Nënë Tereza” drejt sheshit “Skënderbej” dhe në orën 18:00 do të vendosen kurora nga personalitetet e shtetit dhe komunitetit arbëresh në monumentin e Skënderbeut, pikërisht në sheshin që mban emrin e tij, i cili në mënyrë simbolike, për gurët me të cilët është ndërtuar dhe pemët me të cilat është gjelbëruar, përfaqëson të gjitha trojet shqipfolëse.

 Kryetari i Bashkisë së Tiranës do të mbajë një fjalë përshëndetëse për qytetarët dhe për të ftuarit e nderit, ndërsa në orën 19.00 do të mbahet eventi i madh përmbyllës në përkujtim të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në sallën e madhe të Qendrës kulturore ortodokse, shoqëruar nga një koncert me repertorin arbëresh luajtur nga grupet e ardhur nga Italia.