Vjen kompania e madhe britanike, Shqipëria futet si destinacion i ri turistik për Europën Veriore

255

Kompania britanike “Thomas Cook”, e njohur për ofrimin e shërbimeve të udhëtimit në vendet më atraktive turistike në Europën Veriore, e ka futur Shqipërinë si një destinacion të ri turistik për verën e vitit 2019.

Udhëtimet për në Shqipëri do të shiten në Suedi, Norvegji, Danimarkë dhe Finlandë me fluturime nga Stokholmi, Kopenhageni, Osloja, Helsinki dhe Goteborgu. “Thomas Cook” vlerëson se disa mijëra klientë do të udhëtojnë drejt Shqipërisë gjatë këtij sezoni të parë. Si fillim, shtatë hotele në Sarandë do të futen në ofertën turistike, të gjitha të kontraktuara me agjentët lokalë “Elite Travel”.

Operatorët turistikë nga vendet nordike si “Ving”, “Spies” dhe “Tjaereborg” janë të parët e grupit “Thomas Cook” që prezantojnë Shqipërinë dhe pikën turistike të Sarandës si një destinacion për verën tjetër. Sezoni do të filojë në 12 maj dhe do të vazhdojë deri në 29 shtator.

“Thomas Cook” ka vendosur të fillojë me Sarandën, një qytet i vogël bregdetar me ushqim të mirë lokal, histori interesante, peizazh të bukur dhe plazhe të mira. Rezorte të tjera të marra në konsideratë janë: Durrësi, Vlora, Dhërmiu dhe Himara; të gjitha do të rishfaqen pas sezonit të parë të sukseshëm në Sarandë.