Vjen lajmi i mirë/ Hiqen zyrtarisht tarifat roaming, mund të komunikojmë deri në 99% më lirë (Ja çmimet)

36

Prej të Hënës së 1 Korrikut, zyrtarisht ka hyrë në fuqi marrëveshja e uljes së tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ulja e çmimeve fiksohet mesatarisht në 65%, e deri në 99% në disa raste. Marrëveshja do të çojë në eliminimin e plotë të tarifave roaming, pra zero kosto shtesë për të folur në Ballkan, që prej vitit 2021, por edhe drejt një marrëveshje për çmime më të ulta për roaming në Bashkimin Europian të qytetarëve nga Ballkanit Perëndimor. Rezulton se, Shqipëria është një prej vendeve që ofron zbritjen më të madhe që prej 1 Korrikut.

Për ballkanasit që do të përdorin telefonin e tyre celular në vendin tonë, telefonata dalëse do të jenë 87% deri në 97% më të lira, ndërkohë që për një telefonatë të marrë, do të paguajnë 97% më pak se ç`paguanin përpara 1 Korrikut. Rënia më e madhe ndërkohë është në drejtim të transferimit të të dhënave, pra internetit. Ballkanasit që do të jenë në Shqipëri do të mund të përdorin operatorin e tyre celularë dhe të paguajnë 93%  deri në 99% më pak se paguanin më parë. Përpara 1 Korrikut, çmimi fiksohej mesatarisht në 2.92 euro për 1 mb.

Sa i përket shteteve të tjera, Serbia duket ajo që do të bëjë uljen më të vogël, por duhet pasur se në Serbi çmimet e roaming ishin disa herë më të lira se në vendet e tjera të rajonit. Në thuajse të gjitha vendet e rajonit, tashmë qytetarët shqiptarë do të mund të përdorin operatorin e tyre celular, duke paguar mbi 90% më lirë për shërbimet kryesore, e veçanërisht për internetin, ku shqiptarët do të paguajnë 0.03-0.13 euro për mb në të gjitha vendet e rajonit.

Marrëveshja e roaming për rajonit është kërkuar me ngulm nga Bashkimi Europian ndërkohë që edhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal është angazhuar fuqimisht për implementimin e saj.